Turqia për vite me radhë ka rrezikuar duke mos zbatuar ligjet moderne të ndërtimit. Vendi ka lejuar dhe në disa raste, edhe ka inkurajuar ndërtime të objekteve në zonat që janë të rrezikuara më shumë nga dridhjet e tokës, thonë ekspertët.

 

 

Zbatimi i dobët i ligjeve moderne, për të cilin ekspertët e gjeologjisë dhe inxhinierisë kanë paralajmëruar prej kohësh, po debatohet sërish pas tërmeteve shkatërruese të kësaj jave, të cilët rrafshuan mijëra ndërtesa dhe vranë më shumë se 21,000 njerëz në Turqi dhe Siri.

 

 

“Kjo është një katastrofë e shkaktuar nga ndërtime të dobëta, jo nga tërmeti”, tha David Alexander, profesor i planifikimit emergjent në “University College” në Londër.

 

 

Është e ditur që shumë ndërtesa në zonat e goditura nga dy tërmetet e kësaj jave u ndërtuan me materiale dhe metoda të dobëta dhe shpesh nuk përputheshin me standardet e qeverisë, tha Eyup Muhcu, president i Dhomës së Arkitektëve të Turqisë.

 

 

Ai tha se kjo përfshin shumë ndërtesa të vjetra, por edhe apartamente të ngritura vitet e fundit, gati dy dekada pasi vendi miratoi ligjet e ndërtimit sipas standardeve moderne. “Struktura e ndërtesave në zonë ishte e dobët dhe jo e qëndrueshme, pavarësisht nga fakti se është zonë që përballet me termete”, tha zoti Muhcu.

 

 

Problemi kryesisht u shpërfill, thanë ekspertët, sepse trajtimi i tij do të ishte i shtrenjtë, jopopullor dhe do të frenonte një motor kyç të rritjes ekonomike të vendit.

 

 

Sigurisht, tërmetet e njëpasnjëshme që shkatërruan ose dëmtuan të paktën 12,000 ndërtesa ishin jashtëzakonisht të fuqishëm, por forca e tyre u zmadhua nga fakti se ato ndodhën jo shumë në thellësi.

 

 

Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ndodhi në orën 4:17 të mëngjesit, duke e bërë edhe më të vështirë për njerëzit që të dilnin nga ndërtesat e tyre pasi toka u trondit me forcë. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka pranuar “mangësitë” në reagimin e vendit ndaj termetit.

 

 

Por ekspertët thanë se ka një mal me prova dhe shumë rrënoja që tregojnë një realitet të rëndë për arësyet përse tërmetet ishin kaq vdekjeprurës: Edhe pse Turqia ka të miratuara ligje ndërtimi që plotësojnë standardet aktuale të inxhinierisë së tërmeteve, ato shumë rrallë zbatohen, gjë që shpjegon arësyen përse mijëra ndërtesa u shkatërruan.

 

 

Në një vend të kryqëzuar nga linjat e çarjeve gjeologjike, njerëzit janë të shqetësuar se kur dhe ku mund të godasë tërmeti tjetër, veçanërisht në Stamboll, një qytet me më shumë se 15 milionë banorë që është i prekshëm nga tërmetet.

 

 

Që nga fatkeqësia, ministri i drejtësisë i presidentit Erdogan tha se do të hetojë ndërtesat e shkatërruara. “Ata që kanë qenë të pakujdesshëm, fajtorë dhe përgjegjës për shkatërrimin pas tërmetit do të përgjigjen para drejtësisë”, tha të enjten ministri Bekir Bozdag.

 

 

Por disa ekspertë thanë se çdo hetim serioz mbi zbatimin e dobët të ligjeve të ndërtimit duhet të përfshijë një vështrim të ashpër ndaj politikave të vet presidentit Erdogan, si dhe zyrtarëve rajonalë dhe lokalë, të cilët mbikëqyrën dhe promovuan një bum ndërtimi që ndihmoi në rritjen ekonomike.

 

 

Pak para zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare të Turqisë në vitin 2018, qeveria parashtroi një program gjithëpërfshirës për të dhënë amnisti për kompanitë dhe individët përgjegjës për disa shkelje të kodeve të ndërtimit të vendit. Duke paguar një gjobë, shkelësit mund të shmangnin detyrimin për të rregulluar ndërtesat e tyre. Amnisti të tilla janë përdorur edhe nga qeveritë e mëparshme para zgjedhjeve.

 

 

Si pjesë e atij programi amnistie, agjencia qeveritare përgjegjëse për zbatimin e kodeve të ndërtimit pranoi se më shumë se gjysma e të gjitha ndërtesave në Turqi — që përbëjnë rreth 13 milionë apartamente — nuk ishin në përputhje me standardet aktuale.

 

 

Llojet e shkeljeve të përmendura në atë raport nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanistikës ishin të shumta, duke përfshirë shtëpitë e ndërtuara pa leje, ndërtesat që lejuan kate shtesë ose zgjeruan ballkone pa autorizim, dhe ekzistenca e stukturave të paqëndrueshme ku jetojnë familjet me të ardhura të ulëta.

 

 

Raporti nuk specifikonte se sa ndërtesa ishin në kundërshtim me kodet që lidhen me rezistencën ndaj tërmeteve ose integritetin bazë strukturor, por realiteti ishte i qartë.

 

 

 

“Amnistia e ndërtimit nuk do të thotë se ndërtesa është e qëndrueshme”, tha në vitin 2019 kreu aktual i Ministrisë së Mjedisit dhe Urbanistikës, Murat Kurum.

 

 

Sipas zotit Muhcu, president i Dhomës së Arkitektëve të vendit, ndërtuesit zakonisht përdorin materiale me cilësi më të ulët, punësojnë më pak profesionistë për të mbikëqyrur projektet dhe nuk u përmbahen rregulloreve të ndryshme si një mënyrë për të ulur kostot.

 

 

Ai thotë se e ashtuquajtura “amnestia ndërtimore” e qeverisë turke e prezantuar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2018 si një mënyrë për të siguruar vota, në fakt, ka legalizuar ndërtesat e pasigurta.

 

 

“Ne po e paguajmë për këtë me mijëra vdekje, shkatërrim të mijëra ndërtesave, humbje ekonomike,” tha zoti Muhcu.

 

 

Edhe ndërtesat e reja të banimit të shpallura si të sigurta, u shkatërruan nga tërmeti.

 

 

Shkatërrimi në të gjithë Turqinë vjen në një kohë të ndjeshme për presidentin Erdogan, i cili përballet me zgjedhje të vështira parlamentare dhe presidenciale në maj, mes një rënieje ekonomike dhe inflacionit të lartë.

 

 

Zoti Erdogan përmend rregullisht bumin e ndërtimit të vendit gjatë dy dekadave të fundit, që përfshijnë aeroporte, rrugë, ura dhe spitale të reja, si dëshmi e suksesit të tij gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet.

 

 

Në turneun e tij në zonat e dëmtuara të mërkurën dhe të enjten, zoti Erdogan u zotua të rindërtojë shtëpitë e shkatërruara brenda vitit.

 

 

“Ne e dimë këtë biznes”, tha ai. “Ne jemi një qeveri që e kemi dëshmuar veten në këto çështje. Do të rindërtojmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *