Subscribe

Në shtatë muaj, Shqipëria ka mikpritur gati 5.2 milionë turistë të huaj, numër ky që kapërcen fluksin e të njëjtës periudhë të një viti më parë.

 

Por kur po regjistrojmë shifra rekord vizitorësh, problemet na shoqëruan edhe gjatë këtij sezoni, të cilat, sipas tur-operatorëve, nëse nuk zgjidhen, oferta turistike e Shqipërisë rrezikon të zhvlerësohet në vitet në vijim.

 

Mungesa e infrastrukturës për ta është shqetësimi kryesor.

 

ASTRIT KURTI

OPERATOR TURISTIK

 

“Ndoshta nuk ishim të gatshëm me infrastrukturë për pjesët që janë jashtë objekteve akomoduese. Nuk jemi të mirëorganizuar me infrastrukturën, e kam fjalën për linjat urbane, interurbane. Kemi mangësi infrastrukturën reale që të përballojmë këtë fluks. Çdo punim të jetë e përfunduar, e miratuar, e rregulluar në kohë. Duhet ta nisim sezonin mbarë, jo me punime, akoma nuk është bërë trotuari, hoteli nuk është rregullar ende. Duhet të jemi më të mirëorganizuar në këtë drejtim.”

 

Shtimi i turistëve në numër, sipas operatorëve, duhet të shoqërohet edhe me struktura të reja akomoduese, që ofrojnë shërbim cilësor.

 

ASTRIT KURTI

OPERATOR TURISTIK

 

“Njësitë pritëse të mira mungojnë në Shqipëri, po të kemi akoma më shumë njësi pritëse, që janë më shumë profesionale, është imazhi akoma më i mirë.”

 

XHIMI LAMA

OPERATOR TURISTIK

 

“Sfida më e madhe e Shqipërisë është në kulmin e sezonit. Duke nisur nga mesi i qershorit deri në mesin e shtatorit, ka problematikë shumë të madhe sidomos me gjetjen e shtretërve dhe për akomodimin e grupeve turistike.

 

Thirrja që bëhet për mikpritësit e turistëve është që të mos abuzojnë me çmimet, me qëllim që mos largohen të zhgënjyer nga Shqipëria.

 

XHIMI LAMA

OPERATOR TURISTIK

 

“Çmimet e hoteleve po t’i shikosh edhe në Booking edhe tani kanë shkuar goxha. Po të shkosh tani në Dhërmi, kanë shkuar dhomat deri në 400 euro. Nuk mund të flasim për një turizëm të lirë. Po të krahasohemi me vendet e rajonit, jemi rreth 20% më lirë, por megjithatë në shumë aspekte, shërbimi le goxha për të dëshiruar. Ne nuk jemi akoma të përgatitur për përballimin e flukseve të tilla turistike. Dhe duhet ta marrim seriozisht duke filluar nga bashkitë e çdo njësi tjetër që në vitet e ardhshme të jemi shumë më seriozë dhe të organizuar.”

 

Gjatë këtij sezoni, një pjesë e të huajve që vizituan vendin tonë u ankuan në platformat online për oferta më të shtrenjta nga sa kishin rezervuar dhe në disa raste, shërbim pa standarde.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *