Balla në fjalën e tij theksoi se fitore si kjo e 14 majit janë të bukura, por njëkohësisht janë edhe një përgjegjësi shumë e madhe, pasi besimi i dhënë nga qytetarët duhet të përkthehet në punë konkrete.

“Më 14 maj ne socialistët në këtë 32-vjetor të Partisë Socialiste morëm një rezultat të thellë si asnjëherë tjetër. Ky është një rezultat që mund të na e ketë zili çdo parti politike. Këto fitore si kjo e 14 majit janë të bukura, por janë edhe një përgjegjësi shumë e madhe dhe unë besoj që të gjithë ne këtu dhe ka një arsye pse jemi sot këtu, për shkak të atij kontributi që dhatë në një fushatë shumë qytetare, patëm mundësi të komunikojmë derë më derë, shtëpi më shtëpi me të gjithë banorët e Fierit, Roskovecit, Patosit, Mallakastrës, Lushnjes dhe Divjakës. Nga këto zgjedhje besoj që gjithsecili prej nesh ka mbajtur shënim shumë gjëra që ne duhet t`i përmirësojmë. Duhet të kuptojmë nga këto zgjedhje që ka ardhur koha që menjëherë pasi ne të kemi bërë disa rregulla në Asamblenë tonë Kombëtare përsëri i përket analizës që duhet të bëjmë edhe njëherë në çdo fshat dhe të kërkojmë falje për punë që nuk i kemi bërë si duhet”.

 

Balla gjithashtu në fjalën e tij ka nënvizuar edhe njëherë mbështetjen që Kryeministri ka dhënë për qarkun Fier si dhe ka theksuar punët e mira që priten të bëhen në çdo bashki të këtij qarku.

“Me Kryetarin tonë të Partisë, me Kryeministrin Edi Rama ne e dimë fare mirë se kush janë disa prej punëve kryesore që na presin për Fierin, e dimë fare mirë që zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm i Fierit kërkon që ne të dalim sa më shpejt të lidhim Fierin me detin dhe ndërkohë e dimë fare mirë për Mallakastrën dhe Kryeministri e ka thënë dhe unë dua t`u garantoj mallakastriotëve që ne shumë shpejt do të kemi gati projektin për një rikonstruksion të rrugës që lidh Fierin, Patosin dhe Mallakastrën. Për Roskovecin do të thoja që ne kemi biseduar me Ministren e Bujqësisë, na duhet një plan i rëndësishëm për gjithë zonën e Myqzeqesë përsa i përket vaditjes, nuk i përballon ky sistem vaditje që kemi sot nevojën që kanë fermerët për vaditjen. Në Patos kemi parë një rezultat spektakolar, unë u jam shumë mirënjohës popullit të Patosit edhe pse në fakt të gjitha rezultatet janë spektakolare. Fieri na ka dhënë një besim si asnjëherë tjetër edhe për Kryetarin e Bashkisë, edhe për Këshillin Bashkiak, kemi 2/3 e Këshillit Bashkiak të cilin nuk e kemi patur asnjëherë. Këshilli Bashkiak duhet të ndryshojë, nuk duhet të jetë një mbledhje e mbyllur ku nuk mer vesh askush se çfarë ndodh në Këshillin Bashkiak, por do të jetë një mbledhje e hapur ku edhe njerëzit të thonë shqetësimet e tyre dhe anëtarët e këshillit të mos rrijnë katër vjet e të mos e dijë njeri se çfarë pune kanë. Gjithashtu një prej projekteve më të para që duhet të bëjmë është një unazë bujqësore që të lidh Divjakën me Lushnjen, është një unazë shumë e rëndësishme e zhvillimit të infrastrukturës brenda dy bashkive të cilat janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Kemi filluar një rrugëtim për të cilin unë jam shumë krenar, kemi bërë punë shumë të mira që kishin shumë vite që prisnin dhe ky është vetëm fillimi i një pune të madhe transformimi. Vëmendja jonë tek bujqësia do të vijojë. Ne nuk do t`i lemë bujqit vetëm, por e vërteta është që jemi në një ekonomi tregu ku çmimin nuk e përcakton qeveria sepse çmimin e cakton ekuilibri mes ofertës dhe kërkesës, por ajo që unë dua t`ju them është që këtë vit presim një prodhim të grurit më shumë se viti i ardhshëm dhe në ditët në vijim ne do të bëjmë një takim me të gjithë ata që janë grumbulluesit kryesor të grurit në Shqipëri për të garantuar që gjatë këtyre javëve dhe muajve të reduktohet sa më shumë importi i grurit nga jashtë në mënyrë që të kemi një treg të garantuar për prodhimin tonë vendas”.

 

Balla gjithashtu ka theksuar se Partia Socialiste është e vetmja parti politike e cila përmbush kushtet kryesore që duhet të ketë një forcë fituese.

“Shumë thonë se si ka mundësi që Partia Socialiste i fitoi edhe këto zgjedhje. Por Partia Socialiste e Shqipërisë përmbush tre kushtet kryesore që duhet të ketë një forcë fituese, duhet të ketë një ekip, duhet të ketë një program dhe ne i`a kemi vënë emrin `Shqipëria 2030` dhe ne jemi të vetmit që kemi një lidership europian në Shqipëri, Edi Ramën. Partia Socialiste e Shqipërisë me Edi Ramën janë dhe do të vazhdojnë të jenë e vetmja forcë udhëheqëse edhe për një kohë të gjatë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *