Sfidat më të mëdha që priten për ofensivën e pritshme tokësore të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës ndodhen nën tokë: sistemi i tuneleve të Hamasit militant. Organizata që kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania dhe vende të tjera si organizatë terroriste ka në dorë më gjasë rrjetin më të madh të tuneleve në botë – sisteme në përmasa të tilla të krahasueshme gjenden vetëm në Korenë e Veriut. Për shkak të qindra kilometrave tunele shtohen vështirësitë për ushtrinë izraelite në Rripin e Gazës, shkroi para pak ditësh, John Spencer nga Akademia Ushtarake e SHBA, West Point në një artikull. “Kompleksi i zgjeruar nëntokësor është një problem me shumë të panjohura, për të cilat nuk ka zgjidhje perfekte.” Në tërësi ky rrjet, sipas raportimeve e llogaritjeve përbëhet nga 1300 tunele me një gjatësi prej 500 km. Disa tunele madje kanë një thellësi 70 metra, shumica janë dy metra të thellë dhe dy të lartë.

Ekspertët janë të mendimit, se 200 pengjet e marra nga Hamasi pas sulmit terrorist më 7 tetor janë futur në tunele. Këta shërbejnë sipas të dhënave edhe për depozitimin e armëve, artikujve ushqimorë, ujit, gjeneratorëve, karburanteve dhe pajisjeve të tjera. Po ashtu ekspertët janë të mendimit, se edhe drejtues të Hamasit fshihen në këto tunele. Ata do t’i vështirësojnë luftimet edhe pa to shumë të vështira në Rripin e Gazës me një dendësi të madhe popullsie. “Tunelet u lejojnë luftëtarëve të lëvizin të sigurtë dhe të lirë mes disa pozicionesh luftuese”, është i mendimit Spencer. “Me këtë ata neutralizojnë avantazhet e Izraelit në lidhje me taktikën, armët, teknologjinë dhe organizimin.

Ushtria izraelite ndodhet para vështirësive jo vetëm për shkak të abuzimit të Hamasit me civilët dhe pengjet duke i përdorur si “mburoja njerëzore”, duke bërë që të mos dallohen qartë objektivat ushtarake dhe civile. Por sipas të drejtës ndërkombëtare kjo është e parashikuar, thotë për DW, Mike Martin, ekspert për psikologjinë e zhvillimit të luftës në Kings College në Londër. Izraeli i bëri thirrje para disa ditësh popullsisë në Gaza të largohet për sigurinë e saj në jug të vendit.

Por një luftë e tillë ka problemet tipike të zonave urbane. Sipas Martin luftimet në këto zona zhvillohen në tre dimensione. “Qëllohesh nga lart, pra nga ndërtesat e larta, natyrisht edhe nga nëntoka. Dhe nëse e shkatërron një ndërtesë ajo kthehet në rrënoja, në të cilat dikush mund të fshihet shpejt dhe të kundërgodasë.” Sipas tij terreni urban është më i vështiri për një ushtri.

Kërkim i vështirë

Fillimisht tunelet nëntokësore ishin ndërtuar për të sjellë mall nga Egjipti në Rripin e Gazës për shkak të bllokadës dhe më vonë të kontrabandohej mall edhe përmes Gazës dhe Izraelit. Pas forcimit të përpjekjeve për përgjim me dronë dhe aparate spiunazhi nga pala izraelite, Hamasi investoi gjithnjë e më shumë zgjerimin e rrjetit të tuneleve. Por vetëm pas operacionit ushtarak në vitin 2014, ushtria izraelite zbuloi përmasat e vërteta të tuneleve të Hamasit. Izraeli reagoi duke krijuar një bllokim nëntokësor përgjatë kufirit me Rripin e Gazës për të penguar që tunelet e Hamasit të hynin deri në Izrael.

Nuk është e lehtë lokalizimi i tuneleve, por ka mundësi të zbulimit të tyre me ndihmën e radarëve dhe mënyrave të tjera termike apo sinjaleve akustike. Por shpesh edhe nga faktorët njerëzorë, raportoi organizata “Rand Corporation” në vitin 2017. Për shembull, kur sinjali i telefonit të një luftëtari të Hamasit nuk ndiqet dot më, për shkak të futjes në një tunel.

Lufta nëntokësore

Në të shkuarën janë përdorur në tunele gazi lotsjellës dhe mjete kimike, sipas Daphne Richemond-Barak, një nga ekspertet më të njohura në botë në këtë fushë, autore e librit “Lufta nëntokësore”. Por këto metoda me gjasë sot janë ilegale. Ka gjasa që tunelet të bombardohen. Izraeli i ka të ashtuquajturat bomba kundër bunkerëve, që mund të futen thellë në tokë. Por Rripi i Gazës është një nga zonat me dendësi më të lartë popullsie në botë, 40 km i gjatë dhe 6 deri në 14 km gjerësi me popullsi 2,2 milionë vetë. Edhe nëse Izraeli e di ku janë tunelet, specifikat e Rripit të gazës e bëjnë shumë të vështirë bombardimin, ndoshta edhe të pamundur. Izraeli zotëron edhe të ashtuquajturat bomba precizioni, për të qëlluar tunelet apo për t’i bërë të papërdorshëm, raporton “Rand Corporation”. Por përdorimi i tyre nuk e ka sjellë rezultatin e dëshiruar.

Një sfidë tjetër për ushtrinë izraelite: Lufta në tunele është më e vështira. Nën tokë është errësirë dhe ftohtë. Zhurmat si ajo e breshërisë së armëve janë më të forta se mbi tokë, përdorimi i armëve trazon dheun duke krijuar pluhur. Tunelet po ashtu mund të jenë minuar. Në të shkuarën ushtarët izraelitë hynin në tunel pasi forcat speciale e kishin dhënë dritën e gjelbër të sigurisë. Nga viti 2014 ushtria izraelite angazhon njësi speciale të ushtrisë për luftën në tunele. Ata kanë trajnuar në ambient fizik ose virtual këtë lloj lufte. Këto njësi mbështeten edhe nga robotë dhe qen të stërvitur.

Suksesi i pasigurtë

Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë përgatitje për një luftë tunelesh, si ato të ushtrisë izraelite, është shprehur, John Spencer nga Akademia Ushtarake amerikane, një nga themeluesit e grupit ndërkombëtar për zhvillimin e luftës nëntokë. Ekspertja tjetër, Daphne Richemond-Barak po ashtu pjesë e grupit themelues ka dyshime. “Izraeli duhet të zhvillojë një operacion të gjatë e zgjeruar nga ajri dhe toka për të shkatërruar këtë infrastrukturë nëntokësore”, shkroi ajo për gazetën britanike “Financial Times”. Sipas saj, ushtria mund të shkatërrojë tunelin, ta përmbytë apo ta mbyllë. Por kjo do të ishte e vështirë sidomos në një ambient urban. Ky operacion mund të zgjaste me muaj. “Madje edhe në një skenar të tillë, që do të shkaktonte kosto të papërfytyrueshme njerëzore, nuk ka gjasë që të shkatërrohet i gjithë rrjeti i tuneleve në Rripin e Gazës”, thekson Richemond-Barak.

Edhe Mike Martin, ekspert në Kings College, e shikon tunelin si një sfidë të jashtëzakonshme. “Me teknikën e radarit dhe zbardhjen sizmike tunelet vërtet zbulohen”, thotë ai në bisedë me DW, por aparati i shërbimit inteligjent izraelit ka dobësitë e veta. Martin kujton fillimin e shkallëzimit të situatës në Lindjen e Afërt. Një sulm të përmasave të tilla ata nuk e parashikuan, thotë Martin duke iu referuar sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor me më shumë se 1200 viktima. “Kjo të tregon se ka disa pika të dobta. Më duket se Izraeli me këto dobësi nuk e di si Hamasi do ta mbrojë Rripin e Gazës dhe cilat janë planet e ardhshme. Mund të vendosësh disa pikëpyetje mbi informacionet izraelite.”/ DW

Me raportime shtesë nga Kevin Lynch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *