Subscribe

Pasditen e së hënës, në orën 17:00, dy kundërshtarët kryesore politikë kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, do të ulen në tryezën e negociatave. Qëllimi i takimit që do të mbahet tek Pallati i Kongreseve, është gjetja e gjuhës së përbashkët për miratimin brenda këtij sesioni parlamentar të reformës në sistemin e drejtësisë.

Por kompromisi politik duket i largët, pasi Partia Demokratike, nuk lëviz nga kushtet e saj për miratimin e reformës në drejtësi. Një ditë para se takimit me kryeministrin Rama, gjatë një organizimi me të rinjtë te FRD-së në Lezhë, kreu demokrat Basha renditi kushtet e reja. Sipas tij vetëm përmes një procesi të lirë elektoral, që vjen nga votimi dhe numërimi elektronik, mund të bëhen zgjedhjet dhe zgjidhjet e duhura.

“Unë jam europianist, dhe si i tillë nuk mund të mos përpiqem me gjithçka për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, një drejtësi që nuk i mbron por i ndëshkon qeveritarët e korruptuar dhe kriminelët. Dhe do të përpiqem patjetër të gjej gjuhën e përbashkët me kundërshtarin politik, por vetëm sipas standardeve europiane: Për zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje elektronike, numërim elektronik, dhe një drejtësi të pakapur nga Koço Kokëdhima, nga Emiliano Shullazi, nga Habilajt”.

Duket se këto kushte do e pamundësojnë arritjen e një kompromisi politik mes palëve, për miratimin e reformës në drejtësi. Përveç tyre, PD nuk lëviz nga kërkesa për thjeshtësim të arkitekturës së sistemit të drejtësisë, si dhe qasjen ndaj personave qe do të bëhen pjesë e institucioneve përmes formulës së “vendeve të rezervuara”. Kjo e fundit parashikon përzgjedhjen e 2 anëtareve nga mazhoranca, 2 nga opozita e i pesti nga shoqëria civile. Por teksa PD ka nxjerrë në skene kushte e çështje të minutës së fundit, shumica ka dhënë sinjalet e para të kompromisit: ajo ka pranuar kërkesën për votimin me 94 vota per anëtaret e institucioneve të drejtësisë. Takimi i së hënës pasdite vjen pasi palët kanë vijuar gjatë gjithë javës së fundit negociatat, pjesë e të cilave u bënë edhe ambasadorët e Amerikës dhe të Bashkimit Europian, të cilët lobuan për arritjen e një konsensusi politik për votimin në Parlament të ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi. Madje të shtunën, Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Viktoria Nuland, komunikoi përmes telefonit me kreun e PD-së Basha dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, në përpjekje për t’i bindur për votimin e reformës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *