Subscribe

Të festosh këtë vit kushton më shtrenjtë. Viti që po lëmë pas njohu inflacion në nivele rekord dhe për pasojë, një familje ka paguar mesatarisht 5 mijë lekë më shumë se fundviti i shkuar për të shtruar tryezën në natën e ndërrimit të viteve.

 

Kilogrami i gjelit të detit, që është edhe simboli i tryezës, po shitet deri në 5 mijë lekë më shumë. Nëse një gjel me peshë 7 kg vitin e kaluar ishte 7 mijë lekë, këtë vit me çmimet e tregut blerësit duhet të japin 8.400 lekë.

 

Një rritje prej 2-3 mijë lekësh kanë pësuar edhe çmimet e mishit të qingjit, viçit apo gicit.

 

BLERËS

 

“Shkon goxha, mishi shtrenjtë, pulat shtrenjtë, çdo gjë për xhepin e shqiptarit është shtrenjtë, sidomos për ne pensionistët.”

 

 

“E imja shkjon rreth 300 të vjetra.”

 

Megjithatë, në vend të parë për rritje çmimesh qëndrojnë produktet e bulmetit. Djathi i lopës krahasuar me një vit më parë është dyfish më shumë. Nëse një vit më parë qytetarët e blinin me 420 lekë/kg, sot ata detyrohen ta blejnë mbi 900 lekë/kg. Ndërsa djathi i dhisë nga 670 lekë/kg është rritur në 1050 lekë/kg.

 

BLERËS

 

“Po kushtojnë më shtrenjtë, pula e detit, pula e zakonshme, mishi i qengjit 13 mijë lekë, djathi, gjalpi, janë rritur shumë.”

 

 

“Shumë të tharta janë çmimet, shumë të kripura, më shtrenjtë sesa vjet.”

 

Tryezës së fundvitit nuk i mungon sallata ruse. Për një sasi të bollshme për 4 persona, kryesisht falë shtrenjtimit të majonezës, kastravecëve turshi dhe vezëve e karotave, kjo mesore kushton 1,555 lekë nga 1,258 lekë, pra një diferencë prej gati 300 lekësh.

 

Prej shtrenjtimit të gjalpit, miellit, sheqerit, vezëve dhe arrave, fatura për një tepsi bakllava këtë vit arriti në 400 lekë më shumë.

 

Pijet janë në dorë të gjithsecilit, por mesatarisht një shishe verë është shtrenjtuar me 100 lekë, birra me 20 lekë, ndërsa pijet freskuese me 10 lekë. Por nuk vlen e njëjta gjë për frutat, kryesisht prodhim vendi, të cilat këtë dhjetor po blihen 20-30 lekë më lirë sesa vjet.

 

BLERËS

 

“Deri më sot këtu në lagjen tonë, sot janë ngritur me 10 lekë. Limoni me 20 lekë, mandarinat nuk kanë lëvizur. Frutat, zarzvatet nuk janë shumë të shtrenjta, mandarinat I kemi marrë edhe me 130 lekë., por ushqimet janë skandalioze, të gjitha në stratosferë.”

 

200 lekë më lirë këtë vit në treg është edhe kg i stikave, bajameve dhe lajthive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *