Ardian Çapja, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Elbasan, u arrestua këtë të hënë nga policia si një nga porositësit e dyshuar të vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012.

 

Uniformat blu kanë shpallur në kërkim, dhe nipin e 53-vjeçarit, Florenc Çapjan, 40 vjeç. Ndaj tyre rëndon akuza e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim si dhe ajo e “Armëmbajtjes pa leje”.

 

Operacioni i koduar “Krasta 2021” u finalizua nga forcat RENEA nën drejtimin e prokurorisë së Elbasanit. gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 53-vjeçarit, Ardian Çapja u gjet edhe një armë zjarri tip kallashnikov, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

 

Nezir dhe Gentian Beqiri, babë e bir, u ekzekutuan në 15 gusht 2012 në banesën e tyre në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan. Vrasja dyshohet se u bë për llogari të fisit Çapja.

 

Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

 

40-vjeçari ishte i paralizuar, dhe rruhej nga efektivë policie. Në momentin e ekzekutimit, ai ndodhej në shtëpi vetëm me babain ndërsa u qëllua me tre plumba në kokë teksa  ishte gjumë. I ati u dhunua barbarisht dhe humbi jetën.

 

Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar më herët: Ervis Bardhin, Etien Canin, Jorgo Leku dhe Klajdi Dokolin.

 

Ervis Bardhin dhe Etien Canin, njëherësh miq me 40-vjeçarin Gentian Beqirin, dyshohet se ndihmuan Jorgo Lekun që të hynte në banesë dhe të kryente krimin

Ndërsa Klajdi Dokoli, i njohur si person i afërt i fisit Çapja, dyshohet se ka luajtur rolin e informatorit.  Shkak ishte hakmarrja mes fiseve që ka prodhuar një seri ngjarjesh të rënda, të cilat kanë tronditur Elbasanin.

 

Ardian Çapja u ka shpëtuar tre atentateve, mes të cilëve njëri me sniper në 8 qershor të vitit 2020, ku mbeti i plagosur ne shpatull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *