Identifikimi i viktimave të aksidentit në Larisa të Greqisë duket se mbetet një sfidë më vete për autoritetet vendase. Në një deklaratë për mediat, mjekët shprehen se të paktën shtatë trupa janë të karbonizuar dhe të copëtuar. Sipas tyre identifikimi i këtyre trupave është thuajse i pamundur. Në këtë situatë viktimave mund t’iu kryhet testi i ADN për të bërë të mundur identifikimin e tyre.

 

 

“Kjo është një tragjedi masive. Jemi në proces identifikimi të trupave nga aksidenti i trenit në Tempe. Ky është një proces i mundimshëm që kërkon kohë. Është vërtet e pabesueshme ajo që ka ndodhur”, tha mjekja Rubini Leontari, e cila ka marrë përsipër procesin e autopsisë dhe nekropsit të të vdekurve.

Numri aktual i viktimave është 36, por sipas mjekëve fatkeqësisht kjo shifër ka gjasa të rritet.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrin e Drejtësisë, jemi në bashkëpunim të plotë me spitalin, guvernatorin dhe ministren e Shëndetësisë që janë këtu dhe me policinë që ka mbi supe detyrën tragjike të identifikimit të kufomave. Është një detyrë shumë e vështirë sepse trupat janë në gjendje shumë të keqe, do të duhen shumë orë, ndoshta edhe deri pasdite, fatkeqësisht trupat vazhdojnë të vijnë. Pasi të ketë mbaruar kjo fazë e dhimbshme për ne dhe familjet, do të fillojmë punën e autopsisë, nekropsisë dhe kthimin e trupave”.

 

Mjekët kanë rrëfyer se përballja e familjarëve me të dashurit e tyre të ndjerë është një moment tragjik.

 

“Pjesa tragjike është kur familjet fillojnë të identifikojnë trupat”.

Mjekët theksuan se nga viktimat nuk ka fëmijë, por shumica prej tyre  janë të rinj dhe studentë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *