Subscribe

Ledian e gjeni çdo mëngjes në sallën e provave në Teatrin e Operas dhe Baletit, edhe atëherë kur nuk ka prova për ndonjë shfaqje. Këtë sezon ka shkëlqyer si primabalerina jo vetëm në skenën e kryeqytetit, por edhe në teatrot, italiane, në skenën e Beogradit dhe atë të Malit të Zi. Të gjithë e kanë duartrokitur. Jo pak e kanë vlerësuar edhe kritikët e huaj. Në fillim të vitit emri i saj lakohej në shtypin italian si një ndër balerinat që dhuroi emocione të jashtëzakonshme në role klasike, ndërsa sapo kishte përfunduar njëkohësisht edhe angazhimin në edicionin e gjashtë të “Dancing With the Stars”. Me pak fjalë Ledia Sulaj di të kërcejë gjithçka dhe pa harruar të shkëlqejë sa herë ngjitet në skenë. Këtë mëngjes është kthyer ndryshe në Teatrin e Operas dhe Baletit, me shijen e duartrokitjeve dhe lëvdatave të një prej balerinave më të mira në botë, Carla Fracci. Nga Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit që u zhvillua në datat 23, 24 dhe 25 qershor në Romë, trupa e teatrit të Operas dhe Baletit u kthye me një çmim, si trupa me kontributin dhe prurjet më të mira këtë sezon në mbarë Europën. Edhe pse primabalerina e trupës së baletit në TKOB, Ledia në modestinë e saj thotë se e meritën kryesore për këtë çmim e ka Ilir Kerni. E ndërsa Iliri po aq modest sa gjithnjë ia përcjell meritat këtyre të rinjve që ushqejnë me punë pasionin e tyre, na fton që ne t’i vlerësojmë këtë artistë, të paktën sa të huajt që kanë filluar të na ndjekin me admirim.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *