Presidenti Donald Trump dhe kundërshtari demokrat Joe Biden përmbyllin këtë të hënë fushatën presidenciale. Rreth 250 milionë qytetarë kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e 3 nëntorit, ndërsa deri më tani 92 milionë prej tyre kanë votuar në procesin e hershëm. Kjo shifër rekord që përbën dy të tretën e të gjithë atyre që kanë votuar katër vjet më parë, premton pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhje në një shekull.

 

Presidenti Donald Trump vetëm të dielën ka vizituar pesë shtetet vendimtare, Miçigan, Ajova, Karolinë e Veriut, Florida dhe Xhorxha. Në fjalimet e tij përpara mbështetësve, kreu i Shtëpisë së Bardhë vuri në lojë kundërshtarin demokrat, duke e quajtur të përgjumur, ndërsa djalin e tij, një makinë që thith para. Trump lavdëroi rritjen ekonomike të vendit dhe premtoi se SHBA nuk do të mbyllen nga pandemia.

 

DONALD TRUMP PRESIDENT I SHBA

“Xho Biden është një politikan i korruptuar që paguhet nga Kina. Guvernatorët demokratë po e mbajnë shtetin të mbyllur. Izolimi i Biden do të thotë jo shkolla, jo diplomime, dasma, ditë falenderimi, jo Pashkë, Krishtlindje, jo 4 Korrik dhe jo të ardhme. Nën udhëheqjen e Biden ju do të jetoni në burg-shtet. Të martën keni mundësinë të zgjidhni mes depresionit të Bisden dhe bumit ekonomik që do të keni nën drejtimin tim.”

 

Presidenti Trump i drejtoi një këshillë edhe Europës duke kritikuar masat e ndërmarra për menaxhimin e sëmundjes ndërsa fajësoi sërish Kinën për virusin.

 

“Europa i është rikthyer izolimit sërish, infeksionet e reja janë shtuar, vdekjet po ashtu. Nuk e kuptoj se çfarë po bëjnë, mendoj se duhet të shkoj dhe t’jua shpjegoj situatën. Ata po mbyllen sërish. Shikoni se çfarë i ka bërë bota Kinës. Jemi ne, Europa dhe bota. Europa është nën rregulla drakoniane, dhe fajin për këtë e ka Kina.”

 

Ndërkohë, ish-nënpresidenti Joe Biden qëndroi në shtetin e tij të vendlindjes, Pensilvani duke iu bërë thirrje amerikanëve që të mos lejojnë t’ju mohohet e drejta e votës.

 

JOE BIDEN ISH ZV/PRESIDENT I SHBA

“Presidenti Trump është i tmerruar për atë se çfarë e pret në Pensilvani, amerikanët nuk do të heshtin, më shumë se 90 milionë kanë votuar tashmë. Keni vetëm një ditë kohë për ti dhënë fund kësaj presidence që na ka ndarë, ti japim fund një presidenti që dështoi të mbrojë popullin e tij. Çdo votë ka rëndësi, fuqia për të ndryshuar vendin është në duart tuaja. Askush nuk do të bëjë dot  asgjë për t’ju ndaluar të votoni.”

 

Sondazhet flasin për një garë të ngushtë në shtetet vendimtare që i dhanë fitoren Trump në zgjedhjet e vitit 2016. Pensilvania, Florida, Karolina e Veriut dhe Arizona konsiderohen shtetet kyçe në vendimin e kolegjit zgjedhor, ku do të duhen të paktën 270 vota për të siguruar fitoren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *