E premte, 16 Tetor 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking 1/3 përditësuar 3 orë më parë
Bota

Trump vendos tarifa 30% për importet nga BE dhe Meksika

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpallur sot vendosjen e tarifave 30% për të gjitha importet nga Bashkimi Evropian dhe Meksika.

Kjo tarifë hyn në fuqi më 1 gusht. Lajmi u bë publik sot përmes një serie postimesh në platformën Truth Social, duke shënuar një përshkallëzim të madh në luftën tregtare globale.

Reklamë

Vendimi vjen pas dështimit të negociatave disa ditore me dy nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të SHBA-së. Tarifat e reja përfshijnë produkte kryesore evropiane si automjetet, makineritë, barnat farmaceutike dhe produktet bujqësore, duke kërcënuar ndjeshëm eksportet e BE-së drejt tregut amerikan.

Brukseli ende nuk ka reaguar zyrtarisht, por burime diplomatike konfirmojnë se Komisioni Evropian po shqyrton masa reciproke, përfshirë paraqitjen e çështjes në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Reklamë

Vendimi ndjek një seri masash të ngjashme të ndërmarra nga administrata Trump ndaj vendeve si Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili. Po ashtu, vetëm pak ditë më parë, SHBA vendosi një tarifë prej 50% për bakrin e importuar.

“Ky është një hap i domosdoshëm për të siguruar kushte të drejta tregtare për punëtorët dhe kompanitë amerikane,” shkruajti Trump në deklaratën e tij, duke theksuar se nuk do të tërhiqet derisa partnerët e SHBA-së të pranojnë “marrëveshje më të balancuara.”

Ekspertët paralajmërojnë se tarifat mund të kenë ndikim të gjerë ekonomik, duke rritur çmimet për konsumatorët amerikanë dhe duke goditur rëndë kompanitë eksportuese evropiane, veçanërisht ato gjermane.

Ndërkohë, edhe Meksika, e cila ka marrëdhënie të ngushta ekonomike me SHBA-në përmes marrëveshjes USMCA, përballet me pasoja të konsiderueshme në sektorët e automjeteve dhe bujqësisë.

Rreziku për një luftë tregtare të zgjeruar mbetet i lartë, ndërsa tregjet ndërkombëtare presin me shqetësim reagimin zyrtar të Bashkimit Evropian dhe zhvillimet e mëtejshme.

Vazhdo të lexosh

Reklamë