Presidenti i SHBA-ve Donald Trump theu heshtjen e Perëndimit, duke përgëzuar presidentin rus Vladimir Putin për fitoren e pritshme në zgjedhjet presidenciale të së dielës, ku ai arriti të sigurojë një mandat të katërt 6 vjeçar. Por, telefonata e urimit, është kritikuar ashpër nga senatori John McCain.

 

 “Një president amerikan nuk e drejton botën e lirisë duke uruar diktatorët që fitojnë zgjedhje të turpshme. Trump fyeu çdo qytetar rus të cilit i mohohet e drejta e votës në zgjedhje të lira e të ndershme për të përcaktuar të ardhmen e tyre, përfshirë këtu patriotët e panumërt rus të cilët kanë rrezikuar aq shumë për të protestuar dhe për t’i rezistuar regjimit të Putinit.”

 

Shtëpia e Bardhë, me anë të sekretares Sarah Sanders, i ka dalë në mbrojtje presidentit Trump, duke rikujtuar se edhe ish-presidenti Barack Obama përgëzoi Putin për fitoren në zgjedhjet e vitit 2012.

Gjatë telefonatës së urimit, Trump dhe shefi i Kremlinit ranë dakord për zhvillimin e bisedimeve mbi përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët, që të diskutojmë për armët, mund të diskutojmë mbi garën e armatimeve,” tha Trump para gazetarëve pak para takimit me princin e kurorës të Mbretërisë Saudite Mohammad Bin Salman.

Pas urimit të Trump kreu i komisionit europian Jean-Claude Juncker, në një letër urimi u shpreh se Rusia e Europa duhet të “rivendosin bashkëpunimin”. Ndërsa kancelaria gjermane theksoi nevojën për të vazhduar dialogun “për të adresuar sfidat e rëndësishme dypalëshe dhe ndërkombëtare”.

Marrëdhëniet Lindje-Perëndim janë në nivelet më të ulëta që prej Luftës së Ftohtë, të cilat u përshkallëzuan edhe më tepër pas helmimit të një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *