Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është treguar i ashpër, duke paralajmëruar se Amerika nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj veprimeve kërcënuese të Koresë së Veriut dhe Iranit.

 

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, ka kërcënuar se ai do ta mbrojë vendin e tij, ashtu sikurse të gjithë liderët botërore do të mbronin vendin e tyre, duke paralajmëruar për një shkatërrim të plotë të Koresë së Veriut nëse regjimi komunist i Kim Jong Unit kërcënon Shtetet e Bashkuara.

 

“Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë për ta shkatërruar plotësisht Korenë e Veriut, nëse nuk ka rrugëdalje tjetër për të mbrojtur veten dhe aleatët”.

 

Trump i bëri thirrje vendeve të tjera anëtare në OKB-së të punojnë së bashku për të izoluar regjimin e Kim Jong Unit, duke theksuar se ka ardhur koha që Koreja e Veriut të kuptojë se çarmatimi bërthamor është e vetmja rrugë drejt së ardhmes.

 

Në fjalimin e tij, Trump foli edhe për regjimin e Iranit, të cilin e akuzoi se po mban peng të ambicieve të tij bërthamore një komb me një histori të gjatë e të shquar.

 

“Nuk mund të lejojmë një regjim vrasës të vazhdojë në këtë rrugë destabilizimi. Nuk mund të vazhdojmë me këtë marrëveshje nëse nuk është gjë tjetër veçse një maskim i një programi që synon prodhimin e armëve bërthamore. Sinqerisht ky program është turp për Shtetet e Bashkuara”.

 

Gjatë fjalimit të tij, Trump kritikoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara se nuk po e përmbush misionin e saj, duke rikujtuar se Amerika vazhdon të kontribuojë shumë më tepër se pjesa tjetër e anëtarëve të organizatës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *