Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se pret që së shpejti të nënshkruhet marrëveshja SHBA-Ukrainë për mineralet e rralla të Ukrainës.
Duke folur me gazetarët përpara fillimit të takimit të kabinetit, Trump tha gjithashtu se SHBA po diskuton me Kievin mundësinë që kompanitë amerikane të marrin pronësinë e termocentraleve të Ukrainës.
Kujtojmë se një delegacion amerikan u takua me zyrtarë ukrainas në Riad, Arabi Saudite, të dielën.
Bisedimet u përqëndruan kryesisht në një armëpushim në Detin e Zi, por Trump tha se çështje të tjera po shfaqeshin ndërsa ai shtyn për t’i dhënë fund luftës trevjeçare midis Ukrainës dhe Rusisë.
“Për momentin po flasim për tokat. Po flasim për energjinë, për pronësinë e termocentraleve. Disa thonë se SHBA duhet të ketë termocentralin… sepse ne kemi njohuritë,” tha Trump.