Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka kritikuar ashpër homologun e tij rus Vladimir Putin për sulmet e fundit ajrore në Ukrainë. Ai e ka cilësuar kreun e Kremlinit të çmendur nëse mendon së do të marrë të gjithë territorin e vendit fqinj.
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur. Është çmendur plotësisht! Po vret shumë njerëz pa nevojë, dhe nuk po flas vetëm për ushtarë. Raketa dhe dronë po qëllohen në qytete në Ukrainë, pa asnjë arsye. Gjithmonë kam thënë se ai e do të gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo po rezulton të jetë e drejtë, por nëse e bën, kjo do të çojë në rënien e Rusisë!”, tha Trump.
Lexo edhe :
Megjithatë kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk kurseu as Zelenskyn.
“Presidenti Zelensky nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në atë mënyrë. Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme, nuk më pëlqen, dhe më mirë të ndalet. Kjo është një luftë që nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të isha President. Kjo është lufta e Zelensky-t, Putinit dhe Bidenit, jo e “Trump”, unë vetëm po ndihmoj në shuarjen e zjarreve të mëdha dhe të shëmtuara, që janë ndezur përmes paaftësisë dhe urrejtjes së madhe”, tha Trump.
Më herët Trump dhe Putin zhvilluan një bisedë telefonike për një propozim armëpushimi nga SHBA.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se telefonata shkoi shumë mirë dhe se bisedimet do të fillojnë menjëherë.
Kievi ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor, ndërsa Moska ka propozuar një “memorandum për paqen e mundshme”, që Ukraina dhe aleatët e saj e kanë quajtur një taktikë për të zvarritur procesin.






