Pas 18 vitesh një president amerikan merr pjesë në forumin ekonomik botëror në Davos. Këtë herë Donald Trump përballet me një detyrë të vështirë: të bindë audiencën e titanëve të biznesit, politikës dhe zyrtarët e lartë në organizatat ndërkombëtare, se pikëpamja e tij nacionaliste janë zgjedhja më e mirë edhe për pjesën tjetër të botës.
Trump shfaqet optimist për qëndrimin e tij ndonëse mbart përgjegjësinë e shumë marrëdhënieve të krisura, disa prej të cilave nuk do t’i lërë pa përmendur në fjalimin që do të mbajë në forum në orën 14:00.
Presidenti pritet të promovojë fuqinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe dëshirën e këtij vendi për të bërë biznes. Ai pritet të flasë gjithashtu për reformat e taksave, dhe si kanë ndikuar ato në të mirë të zhvillimit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhe do të takohet me presidentin e Ruandës, Paul Kagame, udhëheqësi aktual i Bashkimit Afrikan, i cili pritet të flasë edhe mbi komentet poshtëruese të Trump për shtetet afrikane.
Jashtë SHBA, presidenca e Trump shihet gjerësisht si një largim nga normat amerikane, vlerat që mbështesin liberalizmin perëndimor dhe si mohim të mbështetjes së Amerikës për një sistem ndërkombëtar të hapur, pluralist dhe të lirë.
Vizita e tij në Davos po shikohet me ironi, pasi gjatë fushatës presidenciale Trump ka kundërshtuar me forcë organizime të tilla.
Por prova e madhe do të vijë më vonë, pas fjalimit. Mbetet për tu parë nëse Trump do të kundërshtojë argumentet e bëra nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelaria gjermane Angela Merkel dhe kryeministrja britanike Theresa May në Davos se globalizimi është e vetmja rrugë për të bërë përpara.





