Trump president i Amerikës, Rama: Shpresojmë që Viti i Ri të sjellë forcimin e lidhjeve me SHBA
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë darkës me ambasadorët dhe Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë, është ndalur edhe te marrdhëniet e forta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij Rama tha se vitin e ardhshëm në krye të SHBA-ve do të jetë një President i ri, dhe shpreson që kjo të sjellë mundësi të reja të forcimit të lidhjeve mes Shqiëprisë dhe SHBA-ve
“Ne kremtojmë aleancën dhe miqësinë tonë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi te reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona.
Ky ka qenë një vit shënjues për Shqipërinë. Kur kthej kokën pas, më kujtohet takimi im i parë me paraardhësit e paraardhësve tuaj, një dekadë më parë. Asokohe, objektivi ynë kryesor ishte thjesht të siguronim statusin e vendit kandidat në BE dhe të fillonim të ndreqnim imazhin e copëtuar të Shqipërisë në botë. Sot, kontrasti është marramendës. Duket sikur kam jetuar në dy botë krejt të ndryshme. Ka qenë më e vështirë nga ç’mund të thuhet me fjalë, por ia ka vlejtur të luftosh për të gjitha ato që kemi bërë realitet përgjatë këtyre viteve.
Urojmë që viti i ri të bëjë të fluturojmë sërish, pa asnjë vonesë, për hapjen e të tjerë grupkapitujsh, për t’iu përmbajtur objektivit shumë ambicioz që kemi vendosur bashkë me Komisionin e BE-së për t’i mbyllur bisedimet në fund të vitit 2027”, u shpreh Rama.




