Trump nënshkruan urdhra të rinj, transgjinorët ikin nga ushtria, rikthehen ata që refuzuan vaksinën e Covid

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një sërë urdhrash të rinj ekzekutiv që lidhen kryesisht me rishikimin e politikave të Pentagonit.
Vendimet e fundit të Trump, synojnë heqjen e diversitetit, barazinë dhe përfshirjen në ushtri, rikthimin e mijëra trupave që u larguan për shkak se refuzuan vaksinat Covid-19 në pandemi dhe ushtarët transgjinorë.
Mijëra pjesëtarë të shërbimit u përjashtuan nga ushtria amerikane ose u larguan me dëshirë pasi Pentagoni e bëri të detyrueshme vaksinën Covid-19 në 2021.
Sa i takon urdhrit për transgjinorët Trump ka thënë se shërbimi nga trupat që identifikohen me gjini të ndryshme nga ajo biologjike bie ndesh me angazhimin dhe standardet në ushtri.
Edhe gjatë mandatit të parë si president, Trump tentoi të ndalonte transgjinorët nga uniformat ushtarake por çështja u zvarrit për vite në gjykata më pas u hodh poshtë nga pasardhësi i tij Joe Biden.
Urdhrat e rinj të Trump që lidhen me ushtrinë erdhën vetëm një ditë pas emërimit në detyrë të Pete Hegseth si sekretar i mbrojtjes. Hegseth ka premtuar se do të sjellë një frymë të re dhe ndryshime të mëdha në Pentagon./vizionplus.tv




