Pas retorikës së ashpër mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut, Ministri i Jashtëm i vendit komunist ka akuzuar presidentin Donald Trump, se ishte ai i cili ndezi “fitilin e luftës” mes dy vendeve.

 

Ministri i jashtëm koreano-verior, u shpreh për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, TASS, se Trump, me deklaratën e tij të papërgjegjshme në OKB, e thelloi edhe më tej konfliktin.

 

Ai gjithashtu shtoi se Koreja e Veriut duhet ta zgjidhë përfundimisht konfliktin, jo me fjalë, por me armë.

 

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij të parë në Asamblenë e OKB-së muajin e kaluar, kërcënoi se do ta shkatërronte plotësisht Korenë e Veriut.

 

Deklarata e tij shkaktoi reagimin e ashpër të liderit komunist Kim Jong Un, i cili kërcënoi se SHBA nuk do të dalë nga e gjithë kjo e pandëshkuar.

 

Lidhur me programin bërthamor, ministri i jashtëm i Koresë së Veriut tha se vendi i tij nuk do të pajtohet kurrë me asnjë bisedim, ku armët bërthamore të jenë subjekt i negociatave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *