E diel, 20 Shtator 2026 Eat And Traditë deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Bota

Trump – Merkel flasin për Ballkanin

Zëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert, tha të hënën se kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti amerikan, Donald Trump, kanë diskutuar në një bisede telefonike lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor.

 

Agjencia e lajmeve Reuters, citon zëdhënësin e Merkel, Seibert, sipas të cilit: Të dy udhëheqësit ndanë shqetësimet rreth zhvillimeve në Siri, posaçërisht për situatën humanitare në rajonin rreth Idlibit, folën gjithashtu për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe tregtinë. Por, zëdhënësi Seibert nuk ka dhënë më shumë hollësi.

 

Reklamë

Biseda mes Presidentit amerikan dhe kancelares gjermane vjen në një moment kur vëmendja është kthyer tek normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: në fazën përfundimtare të bisedimeve pritet një marrëveshje, e cila përfshin korrigjimin e kufijve mes dy vendeve.

 

Ditë më pare Shtetet e Bashkuara deklaruan nëpërmjet këshilltarit të presidentit Trump, John Bolton se nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh ,SHBA do të mbështesë procesin.

 

Ndërkohë kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shprehur kundër ndryshimit të kufijve në vendet e Ballkanit Perëndimor, një qëndrim që ka mbajtur edhe Britania e Madhe.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë kërkuar mbështetjen e  ndërkombëtarëve edhe në rast të ndryshimit të kufijve.

 

Ndërkohë që Brukseli zyrtar beri të ditur se marrëveshja është në proces dhe të dy palëve duhet t’u jepet hapësira e nevojshme.

 

Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn është shprehur se BE mbështet çdo marrëveshje, e cila do të sillte paqe dhe stabilitet në rajon. Takimi i radhës ndërmjet dy presidentëve do të mbahet më 7 shtator në Bruksel në prani të Zyrtares së lartë Federica Mogherini.

Më shumë video

Reklamë