Marrëveshja e Iranit është “një çmenduri e cila nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”. Kështu është shprehur presidenti Amerikan Donald Trump gjatë takimit me homologun e tij francez Emanuel Macron në Uashington.

 

“Njerëzit i njohin pikëpamjet e mia mbi marrëveshjen e Iranit. Është e çmendur, është qesharake, nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, por ne do të flasim për këtë. Irani duket se qëndron pas çdo problemi. Ata testojnë vazhdimisht raketa. Çfarë është kjo”?

 

Nga ana tjetër, presidenti Macron këmbëngul se marrëveshja e Iranit është e rëndësishme, duke theksuar se ajo është pjesë e një strategjie globale.

 

“Ne duhet ta marrim atë si pjesë e një tabloje më të gjerë me sigurinë në rajon”, tha ai.

 

Emanuel Macron nisi të hënën vizitën e tij të parë në SHBA, si president. Në fokus të takimit me Trump, ai do të diskutojë edhe për çështjen e Sirisë dhe tregtinë. Ai pritet që në fund të takimit, të bindë presidentin Trump të mos tërhiqet nga marrëveshja me Iranin, si dhe të mos tërheqë trupat amerikane në Siri.

 

Macron u prit në Shtëpinë e Bardhë me një ceremoni ushtarake, që angazhoi 500 trupa të forcave të armatosura amerikane. Dy udhëheqësit shoqëroheshin nga bashkëshortet e tyre, zonja e parë amerikane Melania Trump dhe bashkëshortja e presidentit francez Brigitte Macron.

 

Gjatë një fjalimi që pasoi ceremoninë pritjes, presidenti amerikan tha se vizita e presidentit Macron është dëshmi e marrëdhënies së qëndrueshme me një vend aleat të vjetër të SHBA-së siç është Franca.

 

Macron ndërkohë pritet të mbajë edhe një fjalim para Kongresit Amerikan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *