E enjte, 1 Tetor 2026 Film TV deri në 00:31 Në vijim ora 00:31: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Tronditet Kosova! Pesë vrasje në dy ditë, autorët ende në arrati

Kosova është tronditur nga një valë e rëndë dhune në pesë ditët e fundit, me pesë viktima të vrara brenda vetëm 48 orëve, ndërsa një tjetër trup u gjet i varrosur në Lipjan pak ditë më parë. Ngjarjet kanë ndodhur në qytete të ndryshme të vendit dhe kanë rikthyer shqetësimin për sigurinë publike.

Gjilan – Vrasje e trefishtë në mes të ditës
Të dielën, qyteti i Gjilanit u përball me një ngjarje të rëndë: tre persona u qëlluan për vdekje – Selami dhe Edmond Hasani, babë e bir, argjendarë të njohur në qytet, si dhe Abedin Hoxha, dhëndër i familjes. Viktimat u qëlluan me armë zjarri në një atentat të organizuar. Një i katërt, Bujar Hoxha, është në gjendje të stabilizuar, pas plagëve të shumta nga të shtënat.

Reklamë

Të dyshuarit për krimin, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull, janë në arrati. Hetimet paraprake flasin për një përplasje të mundshme të lidhur me fajdet dhe përplasje të mëparshme mes palëve. Mefail Shkodra rezulton me një dosje të gjatë penale prej 31 shkeljesh, përfshirë fajde, shantazh dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

Prizren – Vrasje me thikë pas një konflikti
Po të njëjtën ditë, në mbrëmje, një tjetër vrasje ndodhi në Prizren, ku një person u vra me thikë. Autori u arratis fillimisht, por u kap nga policia disa orë më vonë. Rrethanat mbeten ende nën hetim.

“I pandehuri E.B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tani më të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patente dhe e godet H.Sh., me ç’rast i njëjti dërgohet në QKUK në Prishtinë, ku ndërron jetë nga plagët e marra“, njofton policia.

Prishtinë – Konflikt në trafik përfundon me vrasje
Mbrëmjen e së hënës, më 11 gusht, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në lagjen Hajvali të Prishtinës. Muhamet Matoshi, 41 vjeç, u qëllua për vdekje me armë zjarri, pas një konflikti të çastit në trafik. Viktima u gjet i pajetë në një veturë me targa britanike. Autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, është identifikuar por ndodhet në arrati.

Lipjan – Trup i varrosur në arë
Një tjetër rast tronditës u raportua më 4 gusht, në fshatin Baicë të Lipjanit, ku një 60-vjeçar u gjet i varrosur në një arë. Viktima dyshohet të jetë vrarë më parë, ndërsa policia po heton motivin. Katër persona janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.

Autoritetet e rendit janë në kërkim të autorëve të ngjarjeve, ndërkohë që qytetarët kërkojnë më shumë siguri dhe masa parandaluese për ndaljen e këtij cikli dhune.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë