Një shpërthim me tritol në mesnatë tronditi qytetin e Sarandës. Një automjeti të parkuar iu vendos eksploziv, duke e hedhur në erë, por fatmirësisht nga ngjarja nuk pati asnjë të lënduar.
Pronar i mjetit rezulton të jetë 31-vjeçari Klaus Jaçaj, i shpallur në kërkim nga policia për konfliktin e ndodhur 4 ditë më parë ku mbetën të plagosur me armë dy persona.
Jaçaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan dy të rinj pas një konlikti për pronën në bregdet.
Ndërkohë prej orës 3 të mëngjesit të kësaj të marte në Sarandë kanë mbërritur forcat speciale RENEA të cilat kanë zhvilluar kontrolle të ndryshme për kapjen e personave në kërkim, të përfshirë në ngjarjet e rënda të ditëve të fundit.
Paralelisht, kontrolle janë zhvilluar edhe nga FNSH dhe forcat “Shqiponja”.
Ky është operacioni i dytë që zhvillohet brenda tre ditëve, pas atij në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur kontrolle u ushtruan nga forcat operacionale të Tiranës dhe Vlorës, në bashkëpunim me FNSH dhe forcat “Shqiponja”, por pa rezultat./vizionplus.tv





