Subscribe

Hapja e tregut të shpendëve të gjalla në kryeqytet është kthyer në një traditë për festat e fundvitit. Për të tretin vit radhazi, Bashkia e Tiranës ka vënë në funksionim në Baldushk një hapësirë tërësisht të re, e konceptuar në mënyrë që tregtarët të kenë mundësi të reklamojnë dhe të tregtojnë gjelat e detit të zonës, që njihet për rritjen e tyre.

 

“Prej 3 vitesh e kemi destinuar tregun e Baldushkut si një treg ku shiten gjelat e detit, gjelat më të mirë në Shqipëri, por mbi të gjitha, si një fabul e re se si ne ndihmojmë ekonominë lokale. Ftesa ime për të gjithë qytetarët është që tani që tregu funksionon prej tre vitesh rresht, tani që tregu është bërë një histori suksesi për faktin që tregu sot siguron të ardhura për shumë familje, të cilat mbajnë fëmijët e tyre, kur dikush blen një gjel deti nga Baldushku nuk është duke blerë vetëm vaktin e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, është duke blerë dhe duke ndihmuar një familje me librat e shkollës, me shtëpinë, me rritjen e fëmijëve dhe e lë lekun brenda vendit”.

 

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte të zonës, të cilat mandej kontribuojnë në rritjen e ekonomisë lokale.

 

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të blejmë produkte lokale, gjelin në Baldushk, vajin në Ndroq, verën në Lundër, domaten në Shëngjergj, domaten e vonë dhe të gjitha produktet lokale, të cilat sot jo vetëm që janë më të mira e cilësore, por janë edhe më të lira. Ne kemi llogaritur që vetëm në fundvit shiten rreth 4-5 milionë euro mall gjela deti vetëm nga kjo zonë”.

 

Gjelat e detit të Baldushkut janë kthyer në traditë për tavolinën e çdo qytetari të Tiranës në mbrëmjen e Krishtlindjeve dhe darkën e Vitit të Ri. Nga ana tjetër, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vijon punën për garantimin e sigurisë ushqimore, si dhe për monitorimin e çmimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *