Kryeministri i vendit, Edi Rama, pasditen e sotme ndodhej në Korçë së bashku me zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, drejtorin e ISSH, Astrit Hado dhe kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi.
Shefi i qeverisë u takua me pensionistët e Korçës për të ndarë me ta pikëpamjet për skemën e re të pensioneve.
Edi Rama tha se është dashur kohë e gjatë për të arritur në këtë diskutim me pensionistët për shkak se rritja e pensioneve është premtimi më i vështirë për tu arritur.
Rama: Dua ta nis nga arsyeja pse e bëjmë këtë diskutim sot. Nuk e kemi bërë më parë dhe ju e dini shumë mirë sepse jeni të vëmendshëm ndaj jetës politike. Më parë unë dhe ne nuk kemi bërë premtime për rritje pensionesh. Kemi thënë vetëm që qëllimi ynë kryesor është të rrisim pensionet, por është edhe qëllimi më i vështirë për tu arritur sepse mundësitë e ekonomisë kanë qenë të kufizuara.
Shefi i qeverisë shtoi se skema e pensioneve që trashëguan kur morën detyrën ishte skandaloze dhe situata e pensioneve ishte pa asnjë shpresë. Ndaj, theksoi ai, është shumë e rëndësishsme se kujt ia besojnë qytetarët qeverinë.
Rama: Një skemë pensionesh e ndërtuar keq është kostoja e një brezi të tërë. Një brez i tërë digjet nga një skemë e ndërtuar keq. Dhe skema e pensioneve që ne trashëguam nuk ishte e ndërtuar keq, ishte një skemë skandaloze. Ne bëmë reformën e cila ka bërë që tavani i atëhershëm prej 24 mijë lekësh të zhbëhet dhe sot ne të kemi një numër pensionistësh që marrin pensione dhe 300 edhe 350 edhe 400 mijë lekë (të vjetra) për shkak të kontributeve që kanë dhënë. Një skemë pensionesh është fatura e një gjenerate për mirë apo për keq. Kostoja më e rëndë dhe e vazhdueshme e asaj trashëgimie është kostoja që kanë paguar dhe paguajnë pensionistët.
Është shumë e rëndësishme se kujt ia beson qeverinë. /vizionplus.tv





