Një 24-vjeçar është arrestuar nga policia këtë të hënë.
Sipas njoftimit zyrtar, 24-vjeçari transportonte emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.
“Në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e rasteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, gjatë kontrolleve në aksin rrugor “Sarandë-Lukovë”, konstatuan në vendin e quajtur “Lemi i Sofisë”, një automjet tip “Volkswagen”, me të cilin po transportoheshin disa shtetas të huaj.
Shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin M. O., 24 vjeç, banues në Shkodër. Nga hetimet dyshohet se shtetasi M. O. po i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me automjetin që e kishte marrë me qira, me qëllim që ata të kalonin në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve””, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv





