Transporti urban: Të ulet nafta! Shoqata “kërcënon” me reduktim të flotës së autobusëve me 30%
Shoqata e transportit në Shqipëri ka lajmëruar se ditën e hënë pritet të reduktohet flota e autobusëve me 30% në linjat urbane në kryeqytet dhe në Kamëz, nëse nuk do të ketë një mbështetje financiare nga ana e qeverisë.
“Jemi të detyruar të njoftojmë se transporti publik ditën e hënë, nëse nuk do të kemi reagim nga institucionet, jo për shkak të presionit, por për shkak të çështjeve ekonomike, do të reduktojë flotën e mjeteve me 30%”, tha Dashnor Mema, kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban.
Shtrenjtimi i naftës, sipas tyre, ka një ndikim shumë të madh në rritjen e kostove operative të linjave. Ata prej ditësh i kanë nisur një letër institucioneve përgjegjëse, por ende pa marrë përgjigje.
“Ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje ose reagim as nga institucionet përgjegjëse, as nga bashkitë përkatëse, por as nga bordi drejtues që mbikëqyr çmimin e karburanteve. Përveç rritjes së çmimit të naftës, po përballemi edhe me rritje të kostove të mirëmbajtjes”, tha Kostandin Foni, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas.
Sipas të dhënave nga shoqata e trasportit, Në Tiranë dhe Kamëz operojnë 310 autobus urban që në skenarin më të keq pritet të reduktohen në bazë të matjes së kostove që kanë përcakuar operatorët privat që i kanë këto linja.
Sipas tyre, mungesa e ndërhyrjes nga institucionet mund të çojë në falimentimin e subjekteve të transportit.
Operatorët propozojnë masa si subvencionim për litër karburanti ose ulje të taksave, si akciza dhe taksa e qarkullimit, duke shtuar se ulja aktuale e akcizës nuk ka ndikim real në sektor.




