Subscribe

25 mijë banorë të lagjes së re pranë ish-Kombinatit “Misto Mame”, kanë përfituar nga investimet e kryera së fundmi nga Bashkia e Tiranës dhe tani kanë një bllok të transformuar, me rrugë të rregulluara dhe hapësira të mjaftueshme.

 

Bashkia ka rehabilituar të gjithë zonën që kufizohet nga Rr. “Konferenca e Pezës” – “3 Dëshmorët” dhe Rr. “Ali Jegeni”, në Njësinë 6, duke rikonstruktuar gjithsej 22 rrugë.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektuan përfundimin e punimeve që kanë sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të zonës, si dhe kanë krijuar akses të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit.

 

“Jam shumë krenar për skuadrën që ka punuar këtu. Kishte a s’kishte fushatë, ishte shi apo piku i vapës, është punuar me shumë dinjitet, në një nga komunitetet më të mira të Tiranës, që njihet si “Misto Mame”. Janë komunitete që kanë ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, njerëz me halle, që në vitet 90-të e shihnin Tiranën si shpresën e vetme për të rifilluar jetën nga e para, që morën një risk e më në fund po shohin që risku i tyre për një jetë më të mirë dhe për fëmijë që kanë një të ardhme, u shpërblye”, tha Veliaj.

 

Ai vlerësoi bashkëpunimin e komunitetit për të lëshuar hapësirë nga prona e tyre për ndërtimin e trotuareve dhe bëri thirrje që ky shembull të ndiqet edhe në projekte të tjera që janë shtrirë në gjithë kryeqytetin. Por, investimet e Bashkisë së Tiranës në këtë zonë nuk do të ndalen me kaq. Krahas një kopshti dhe një çerdheje të re, në Kombinat po vijon puna edhe për ndërtimin e një shkolle të re në zonën e Astirit. Veliaj siguroi qytetarët se puna do të vijojë edhe në Unazë.

 

“Po përgatisim kopshtin dhe çerdhen e re në Kombinat, pastaj do të fillojmë shkollën e re tek zona e ‘Astirit’. Nuk ka asnjë dyshim që do të bëhet autostrada e ‘Astirit’ dhe nuk ka asnjë dyshim që ajo autostradë do t’i nxjerrë të gjithë fitues. Disa do t’i nxjerrë fitues, duke u shpronësuar dhe duke i marrë paratë ‘kesh’ në dorë, disa do t’i nxjerrë fitues, duke qenë në kufi të asaj prone do të ketë zhvillime dhe secili do të marrë përqindjen e tij të zhvillimit”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku u shpreh se kjo është fuqia e votës dhe e zgjedhjeve. Ai theksoi se  pavarësisht se një minorancë u përpoq t’i impononte qytetit hallet e veta, ajo që njerëzit duan realisht janë rrugë, kopshte e shkolla të reja.

 

“Për të gjithë ata që ngritën një gurgule gjatë fushatës, ka apo s’ka zgjedhje, do të ketë bojkot, do të bëhet kataklizmoja, në fund të ditës treguam që këto zgjedhje për këto punë janë: janë për të bërë kopshtet, çerdhet, shkollat, janë për të mbjellë pemë, për të shtruar trotuare, për të rregulluar këto avlli me mure dekorative. Kush mendoi të ngatërronte revolucionet imagjinare me punën konkrete të halleve të njerëzve dhe kush u mundua t’i impononte qytetit hallet e veta, sikur të ishin hallet e secilit, e kish gabim. Na rezulton se hallet e njerëzve janë këto: rruga ku do ecim, shkolla ku do të çojmë fëmijët, pema që do iu bëjë hije, një kënd lodrash ku do të luajnë të vegjlit”, tha ai.

 

Veliaj shtoi se puna do të vijojë gjatë gjithë verës, në mënyrë që qytetarët, kur të kthehen nga pushimet, të gjejnë një infrastrukturë më të mirë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *