Parku i Liqenit të Farkës po i nënshtrohet transformimit. Bashkia e Tiranës bën me dije se krahas gjelbërimit dhe hapësirave çlodhëse e rekreative, projekti parashikon ndërtimin e një piste vrapimi dhe korsie biçikletash që do të përshkojnë thuajse të gjithë vijën buzë liqenit, duke e vënë parkun në funksion edhe të aktiviteteve sportive.

 

“E gjithë Farka është kthyer në një kantier këto kohë. E di që një kantier i ka lanë stafetën një kantieri tjetër, por më vjen mirë që mbajtëm premtimin për ekipin e volejbollit. Kemi pallat sporti në Farkë, ndoshta më të mirin që kemi sot në Tiranë. Ndihem shumë mirë që në nivel kapilar ne kemi shkuar në çdo rrugicë. Roli i Bashkisë është që të bëjë një investim dhe të ndërtojë një infrastrukturë që të gjithë i bën të ndjehen të barabartë. “

 

Veliaj nënvizoi se ky transformim do t’i rrisë vlerën kësaj zone, të cilën e konsideron si mushkërinë e dytë të qytetit.

 

“Unë e di që në Tiranën me 1 milionë banorë ka edhe njerëz toksikë, ka edhe politikanë përçarës. Ka nga ata që nuk shohin asnjë pemë të mbjellë, asnjë pastërti, nuk shohin asnjë aktivitet. Atyre s’kemi ç’u bëjmë. Duke sharë nuk mbillen pemët, nuk bëhet parku, nuk rregullohet liqeni, nuk mblidhen plehrat. Këto janë ndërhyrje që do t’i gëzojë gjithë Tirana dhe do i japë qytetit një mushkëri të dytë që do jetë, në jetë të jetëve”.

 

Parku i Farkës është parku i dytë më i madh në Tiranë pas atij të Liqenit Artificial.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *