Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Skelës në Vlorë, ku një fëmijë dyvjeçar ka ndërruar jetë në spital, pasi ra nga ballkoni i një pallati shumëkatësh, dyshohet nga kati i katërt.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje mbërriti ambulanca, e cila transportoi të miturin me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fëmija nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda të shkaktuara nga rënia.
Sipas burimeve mjekësore, i mituri kishte pësuar dëmtime të shumta në trup, duke e bërë gjendjen e tij kritike që në momentin e mbërritjes në spital.
“Sot, rreth orës 18:20, në lagjen “Pavarësia 3”, një fëmijë 2 vjeç, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i banesës në pallatin ku banonte dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vend.
Nga të dhënat paraprake rezulton se fëmija ndodhej në banesë së bashku me nënën e tij, shtetasen K. H.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.





