Subscribe

Tragjedia në Xhenova të Italisë mund të ishte parandaluar. E ndërsa vendi fqinj ka shpallur 2 ditë zie për shkak të shembjes së urës Morandi që shkaktoi vdekjen e të paktën 37 viktimave, inxhinierët italianë kishin paralajmëruar pasigurinë dhe kishin kërkuar rindërtimin e saj vetëm 2 vjet më parë.

 

Inxhinieri Antonio Brencich, kërkoi në 2016-n rindërtimin e urës së ndërtuar që në 1960-n, pasi struktura e saj ishte përkeqësuar shumë, pavarësisht rikonstruktimit në vitet 1980, 1990 dhe së fundmi dy vjet më parë. Ai tha për mediat  pas fatkeqësisë se ura ishte një dështim i inxhinierisë.

 

Antonio Brencich: Shumë e konsiderojnë atë urë një kryevepër të vërtetë, por unë mendoj se është një dështim i inxhinierisë. Dhe ‘një nga tre urat e ngjashme të projektuar nga Riçardo Morandi, kanë pasur probleme. Ura u hap më 1967. Njëzet vjet pas hapjes së saj ata bënë një ndërhyrje në kullën lindore, gjë e cila është një operacion shumë i rëndë në një urë, e bërë pas njëzet viteve të jetës. Rënia urës në mënyrë të arsyeshme, ka një origjinë të ngjashme”.

 

Dy vjet më parë për revistën e inxhinierisë profesori në Universitetin e Xhenovës shkruante:

 

“Shpenzimet e vazhdueshme për mirëmbajtjen e urës sugjerojnë se në pak vite, këto kosto do të tejkalojnë kostot për rindërtimin e komplet urës.”

 

Mediat italiane bëjnë me dije se edhe pse herë pas here inxhinierët kishin paralajmëruar shembjen e saj, institucionet nuk e kishin marrë parasysh alarmin.

 

Ndërsa kompania që menaxhon autostradat në Itali ka deklaruar se do të angazhohet maksimalisht gjatë orëve në vijim për të rindërtuar urën e shembur në një kohë sa më të shkurtër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *