Subscribe

Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë, kanë njoftuar më 28 nëntor se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.

 

Tre persona mbetën të vdekur dhe një i plagosur pas sulmit që iu bë një autobusi mbrëmjen e 26 nëntorit.

 

Autobusi po bartte nxënës në relacionin Gjakovë-Deçan, ndërkaq sulmi ndodhi në fshatin Gllogjan të Deçanit.

 

Sipas Policisë, sulmi u bë me armë zjarri të llojit AK-47, ndërsa la të vdekur dy nxënës dhe shoferin e autobusit.

 

Një nxënës që mbeti i plagosur, sipas zyrtarëve të Spitalit në Pejë, tashmë është në gjendje stabile.

 

Në një komunikatë për media, më 28 nëntor është thënë se Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast.

 

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në numrat e telefonit: 080019999 ose 192 si dhe në email-in [email protected]

 

Qytetarëve që thërrasin në këto numra u është premtuar se do t’iu ruhet konfidencialiteti.

 

Më 27 nëntor, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti se kanë dy apo tri pista hetimi lidhur me këtë rast.

 

“Po flasim për një person, por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë, që nënkupton se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit, janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme, të cilat do të na tregojnë saktë se prej nga ka ardhur, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti.

 

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i bëri ultimatum dorasit që të dorëzohet dhe ftoi qytetarët, që kanë informacione, t’iu drejtohen organeve të rendit./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published.