Subscribe

Pas indinjatës së thellë që shkaktoi vrasja e 7 vjeçares Jonada Avdiu nga polici Arjan Tase në plazhin e Potamit, kryeministri Edi Rama fajtor të shumëfishimit të reagimit ndaj tragjedisë e gjen te kundërshtarët e tij politik dhe media.

 

Në një reagim të dytë në twitter pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetarët, Edi Rama thotë se ish kryeministri Sali Berisha dhe ish presidenti Ilir Meta po e shfrytëzojnë vdekjen tragjike të së miturës për qëllime politike.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Madhësia e tragjedisë në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër, ligësia e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar. Sa për çetat e udhëhequra nga “non gratat” dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë  këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre.

 

Në reagimin e tij kryeministri Edi Rama lë të kuptohet se shkarkimi i gjithë drejtuesve të policisë së kufirit Vlorë nuk do të pasohet nga të tjerë në nivele më të larta të strukturës së policisë por vetëm me përforcimin e masave për zbatimin e ligjit në qarkullimin e mjeteve motorike ujore.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor, jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor. Vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit tonë në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre, që nuk është një fjalë goje në një vend ku deri dje ato s’ekzistonin.

 

Me gjithë dy ngjarjet e rënda të ndodhura brenda pak javësh në bregdetin jugor të  vendit, ku një çift u përplas nga një gomone në breg të detit dhe dje 7 vjeçarja Jonada Avdiu u godit për vdekje nga një tjetër mjet lundrues, Edi Rama flet për një sezon turistik të organizuar, qetësia dhe siguria e të cilit u prish vetëm dje.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurt, me plazhet publike dhe rrjetin e vrojtuesve të plazhit organizuar si asnjëherë tjetër.

 

Në fund të qëndrimit ndaj tragjedisë, për të cilën të enjten është thirrur një protestë nën parrullën që Jonadën 7 vjeçare nuk e vrau varka por shteti, kryeministri pret nga drejtësia ndëshkimin ekstrem të fajtorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *