Kolonja ruan ende një traditë të lashtë, ku gëzimi i festave shoqërohet me këngë dhe bashkimin e familjes.
Në çdo fundvit, në shtëpitë e Kolonjës, përgatitja e bakllavasë kthehet në një ceremoni të veçantë, ku nuk mungojnë zërat e grave të shtëpisë që këndojnë teksa hapin petët dhe përgatisin ëmbëlsirën. Kjo traditë, që haset jo vetëm në natën e ndërrimit të viteve, por edhe në dasma, përgatitjen e zahireve dhe festat e tjera të rëndësishme, ka mbijetuar prej brezash.
“Kur vinin nuset e djemve, kur bënim lakrorin, do këndonim një këngë. Nusen e vëmë ditën e tretë, ne te shtëpisë këndojmë. Këngët i këndojmë edhe kur bëjmë zahirë dimri, roshnicat… është gaz në shtëpi”, tha banorja e zonës, Luljeta Bilo.
E njëjta atmosferë përjetohet edhe gjatë përgatitjes së zahireve, kur mblidhen gratë dhe vajzat e lagjes.
“Këtu kur bëhen zahiretë, mblidhet shoqëria e këndon. Gjithmonë me shoqëri edhe këndojnë. Këngë për bakllavanë, për Bajram, për çdo lloj feste”, shtoi Xhemile Caco.
Këtë atmosferë e ka përjetuar edhe Eriselda Bilo, e cila erdhi si nuse e re në Kolonjë dhe u gjend mes këngëve që i këndoheshin asaj në ditën e hyrjes në shtëpinë e re.
“Kur kam ardhur e kam hapur petë, kanë kënduar në shtëpi. Kjo është traditë e Kolonjës. Gratë të gjitha këndojnë. Edhe ne do ta ruajmë këtë traditë, duke e vazhduar me të rinjtë e sotëm”, tha ajo.
Përveçse një mënyrë për të shoqëruar procesin e gatimit, këngët në Kolonjë simbolizojnë gëzimin e përbashkët dhe ndihmojnë në forcimin e lidhjeve familjare e shoqërore. Kjo traditë mbetet një shenjë e fortë e identitetit kulturor të krahinës dhe një shembull frymëzues për ruajtjen e zakoneve të lashta shqiptare. /vizionplus.tv





