Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli bëri thirrje që në zgjedhjet e pranverës liderët aktualë të politikës të marrin një mësim. Në “Facebook”, Topalli tha se ata duhet të largohen sepse kanë detyruar shqiptarët të largohen nga vendi.

 

“Sot është imperative nevoja për ndryshim! Boshatisja e vendit është dramë kombëtare! Ikin të rinjtë, ikin intelektualët. Njerëzit nuk besojnë më në politikë. Njerëzit duan një shtet që nuk vjedh qytetarët e vet; një shtet që nuk mbron hajdutët; një shtet që menaxhon mirë lekët që vijnë nga vjelja e taksave; Lëvizja për Ndryshim synon një shtet që mbron qytetarët e tij e që bashkon. Ne duam që njerëzit të mos ikin nga vendi. Ne nuk duam një Shqipëri të braktisur nga të rinjtë dhe njerëzit e arsimuar. Ne synojmë që një politikë e re t’i rivendosë shqiptarët në zemër të jetës politike të vendit. Ndërkohë sot, për shkak të 3 kryetarëve të korruptuar, Shqipërisë po i ikin edhe intelektualët. Ikin sepse qeveria nuk i njeh meritokracinë, nuk i jep siguri për punën dhe shëndetin. Ikin se shohin se fëmijët e tyre nuk kanë shans për një jetë më të mirë. Por ata nuk ikin vetëm nga qeveria. Demokracia në Shqipëri është thyer. Dhe për këtë ka 3 përgjegjës kryesorë. Ne duhet të largojmë 3 kryetarët e korruptuar. Ata janë përgjegjësit e zbrazjes së vendit!”

 

Jozefina Topalli tha se ajo synon ta ndryshojë këtë realitet dhe të ndalet largimi i shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *