Subscribe

60 vjet më parë, ashtu sikurse edhe në “La Scala”, në këtë godinë tanimë të vjetruar është vënë në skenë “Traviata”. Kjo shfaqje operistike shënoi edhe ditëlindjen e Teatrit lirik të Operës dhe Baletit. Sot kjo godinë është gati e rrënuar. Dyshemeja rrezikon të shembet, studiot e artistëve janë të mbushura me lagështirë dhe tualetet jo pak herë e përcjellin erën deri në katin e dytë, aty ku shpesh na ftojnë për pak muzikë dhome. Të gjitha këto i di edhe kryeministri, që sot premtoi se rikonstruksioni i këtij teatri nis në janar.

Edi Rama: Dyshemeja e skenës rrezikon realisht të shembet dhe ti përpijë të gjithë skllevërit e Aidës bashkë me kë tjetër mund të gjendet rastësisht në skenë. Edhe prapaskena është vendgrumbullimi i gjithë dekoreve të vjetra dhe sistemi elektrik terësisht i amortizuar, pa llogaritur sistemin e ngrohjes dhe ftohjes që nuk mbajmë mend kur kanë funksionuar për herë të fundit. Ndërsa dritaret janë prodhim italian i vitit 1966. Rikonstruksioni nis në janar.

Skena e re që do të presë artistët e Operas dhe Baletit deri në rikonstruksionin e tij të plotë do të jetë “Turbina”.

Edi Rama: Një hapësirë që për çerek shekulli ishte e braktisur dhe mbushur me mbeturina të kohës së shkuar. Shërbente dikur si laborator hidroteknik, sot ka nisur të transfomrohet në skenën e re të kryeqytetit. Ne kemi filluar të ndërtojmë këtë skenë të re që do ketë dy salla me 400 dhe 150 spektatorë dhe mjediset e tjera.

Në fakt, kjo hapësirë e re ishte parashikuar për teatrin kombëtar që do të duhej të niste më herët rikonstruksionin, por shumë prej artistëve e kanë kundërshtuar shembjen e tij. Me frikën se mos shembet, në vend që thjesht të rikonstruktohet edhe aktori Robert Ndrenika ka debatuar Ministren e Kulturës në festivalin ballkanik të teatrove. “Nëse teatri shembet, nuk do më tresë dheu, por do të shtrihem aty”, ka thënë Ndrenika, ndërsa sot, Kumbaro e fton në teatrin e ri.

Mirela Kumbaro: Përfitoj nga rasti t’i them edhe një herë aktorit të madh Robert Ndrenikës, të cilin e ftova të vinte dhe sot, por koha nuk ishte e përshtatshme. Tek darkonim bashkë dy netë më parë në Festivalin e Teatrit Ballkanik me miq dhe i shpjegoja projektet e reja të teatrove, dua t’ia them sërish:  S’ka nevojë të shtrihet tek dera e teatrit për të mbrojtur tokën, sepse do i duhet të ngjitet në skenën e teatrit të ri, të të gjithë teatrove të ri që do të ndërtojmë për të luajtur rolet e mrekullueshëm.

Kostoja e këtij teatri të ri që do të presë, aktorë, regjisorë, balerinë, valltarë instrumentistë, zëra lirikë e artistë të rinj është një investim më i madh se investimet e bëra në infrastrukturën e artit dhe kulturës në 20 vitet e fundit, deklaroi kreu i qeverisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *