Subscribe

Nëse të gjitha automjetet që qarkullojnë në Shqipëri janë të detyruara të shkojnë e të bëjnë kolaudimin vetëm te një kompani, me tarifat që vendos ajo, tashmë një tjetër situatë monopol është krijuar në këtë treg. Bëhet fjalë për disa mijëra automjete të cilat bëjnë transportin e produkteve ushqimore. Një firmë e vetme ka marrë të drejtat për të bërë kontrollin teknik të tyre, por këtë herë pa tender, por vetëm me një urdhër të ish-ministrit të transporteve Edmond Haxhinasto. Me anë të kësaj shkrese, në datën 3 gusht 2016,  Ministri ka urdhëruar emërimin e një kompanie të vetme për të bërë këtë kontroll. Por kjo situatë ka alarmuar tregtarët e ushqimeve, pasi kur janë njohur me listën e tarifave, shumë prej tyre e kanë patur të pamundur të bëjnë kolaudimin. Çmimet që ka vënë kjo firmë variojnë nga 30 deri në 60 mijë lek të rinj për një mjet të vetëm, në një kohë që një firmë mund të ketë mesatarisht 10 deri në 15 të tilla. Shoqata e shqiptare e industrisë së ushqimit, i ka nisur dhe një letër ministrisë ku i kërkon liberalizmin e këtij tregu me më shumë se një kompani, në mënyrë që të ulen tarifat, ndërsa nga ana tjetër i kujton se janë shkelur rregullat pasi ky lloj kolaudimi ligjërisht duhet vetëm për mjetet që ekspertojnë produkte jashtë.

Për automjetet e tipit ATP, duhet të kryhet një lloj kontrolli teknik i veçantë nga shoqëria Shpresa.AL e vetmja që e ka këtë të drejtë, brenda datës 01.09.2016,  pasi në të kundërt pas kësaj date këto automjete rrezikojnë penalizimin me gjoba që variojnë nga 30.000-80.000 lekë. Thënë këtë, drejtuesve të këtyre mjeteve u është dhënë nga një listë çmimesh në të cilën përcaktohen tarifat e kryerjes së këtij kontrolli sipas kategorive përkatëse të cilat variojnë nga 30.000- 60.000 lekë.

Tregtarët thonë se janë gjetur të papërgatitur me këtë urdhër të ri, i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 shtator dhe u është komunikuar nga inspektorët rrugorë. Nga ana tjetër nuk ka asnjë vendim zyrtar për miratimin e tarifave që janë vendosur, por këtë e ka bërë vetë kompania. Në faqen zyrtare te Drejtorisë së Transportit Rrugor thuhet në një njoftim të fundit se është bërë gati lista e ekspertëve për kolaudimin e këtyre mjeteve, por kur klikon aty del vetëm një emër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *