Sulmet me raketa dhe bombardimet ruse në Ukrainë janë intensifikuar ndërsa Organizata “Mjekët pa kufij” thekson se situata humanitare vecanërisht në Mariupol është katastrofike.

 

Problemet më të mëdha lidhen me mungesën e ujit të pijshëm, ushqimit dhe energjisë elektrike.  Autoritetet kanë rënë dakord që të vazhdojnë armëpushimin e pezulluar një ditë më parë, në Mariupol dhe Volnovaka duke mundësuar evakuimin e të paktën 200 mijë njerëzve.

 

Ndërkohë vijojnë negociatat për një korridor humanitar në Hostomel dhe Bucha ndërsa në qytetin Irpin që gjendet në veri-perëndim të Kievit, ka patur sulme intensive. Qytetarët janë larguar nga zona në këmbë për të gjetur siguri.
Ministria britanke e mbrojtjes ka deklaruar se forcat ruse po i përgjigjen rezistencës së Ukrainës duke synuar zonat e populluara në disa qytete, një taktikë e përdorur në Çeçeni dhe Siri.

 

Rusia e sheh jugun si jetik për suksesin e pushtimit të saj dhe njerëzit në portin e Odesës i frikësohen një sulmi të afërt rus nga deti. Kharkiv dhe Sumy në lindje gjithashtu po përballen me të tjera bombardime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *