Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses fazën e nëntë të operacionit të koduar “Relay”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale për dhënie ndihme shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë një shtetas turk, 26 vjeç, i identifikuar me inicialet G. K., i cili u kap në aksin rrugor Kashar–Thumanë, duke transportuar me automjet tre emigrantë të paligjshëm. Sipas hetimeve paraprake, ai kishte përfituar nga 3000 euro për secilin prej tyre, me qëllim kalimin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi automjetin e përdorur për transportin si dhe tre telefona celularë.
Operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas sigurimit dhe përpunimit të shpejtë të informacionit të marrë në rrugë operative.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.





