Subscribe

Tirana zyrtare dënoi sulmin në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë dhe u plagos kolegu i tij. Duke shprehur mbështetjen për Kosovën në këto momente të vështira, Presidenti Bajram Begaj kërkoi nga faktori ndërkombëtar të reagojë për të ulur tensionet.

 

BAJRM BEGAJ

PRESIDENT I REPUBLIKES

 

“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë. Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët.”

 

Ngjarjen e shënuar në orët e para të mëngjesit kryeministri Edi Rama e konsideroi një kambanë të madhe alarmi, që tregon për rrezikun e përshkallëzimit të krizës në Veri në një konflikt të armatosur. Zgjidhjen Edi Rama e sheh vetëm në tryezën e dialogut.

 

EDI RAMA

KRYEMINITER I SHQIPERISE

 

“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme  me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.”

 

Ndërsa ministri i Jashtëm Igli Hasani bëri apel që Kosova ta trajtojë situatën me maturitet dhe të gjejë zgjidhjen duke bashkëpunuar me aleatët.

 

IGLI HASANI

MINISTER PER EUROPEN DHE PUNET E JASHTME

“Dënojmë me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës.  Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët.”

 

Kjo ngjarje e rëndë vjen vetëm pak javë pas tensioneve që u regjistruan kur kryetarët e zgjedhur të komunave u futën në godina për të ushtruar detyrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *