Dhjetëra qytetarë ukrainas u mblodhën këtë të martë në qendër të Tiranës për në shenjë sensibilizimi për 4-vjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë. Me flamuj në duar ata nderuan të rënët në luftë. Në këtë përvjetor, përfaqësues të institucioneve, u mblodhën për të nderuar viktimat dhe për të riafirmuar solidaritetin me popullin ukrainas.
“Ne qëndrojmë falë një shoqërie që ka mësuar të mos tërhiqet përballë vështirësive çnjerëzore. Ukrainasit i janë përgjigjur Rusisë, mund të jemi pa dritë, pa ujë, pa ngrohje, por jemi pa ju. Ky është zgjedhja e vetëdijshme e njerëzve të lirë për të zgjedhur pavarësinë dhe demokracinë. Dhe qëndrojmë sepse nuk jemi vetëm. I falënderoj sinqerisht të gjithë ata që kanë qëndruar me Ukrainën gjatë këtyre viteve. Mirënjohja ime e veçantë shkon për qeverinë dhe popullin e Shqipërisë, partnerin tonë të besueshëm, një vend që e njeh shumë mirë çmimin e lirisë dhe që nuk do të ndalet”, tha Volodymyr Shkurov, ambasadori i Ukrainës.
Ndërsa ambasadori i BE në Shqipëri, Silvion Gonzato u shpreh se bashkimi evropian kërkon medoemos paqe mes dy vendeve.
“Pas katër vitesh lufte, ne jemi të vendosur të sigurohemi që viti 2026 të jetë viti kur agresioni kundër Ukrainës të marrë fund. Qëndrimi i Bashkimit Evropian është krejtësisht i qartë. Ne duam paqe në Ukrainë dhe duam që kjo paqe të zgjasë. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme, e besueshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së”, u shpreh Silvio Gonzato, ambasadori i BE në Shqipëri.
Nënkryetarja e bashkisë Anuela Ristani shprehu edhe njëherë mbështetjen e Tiranës ndaj popullit ukrainas.
“Jo vetëm Tirana, por kushdo që qëndron për drejtësinë, kushdo që qëndron për lirinë dhe kushdo që qëndron për dinjitetin njerëzor. Sepse, në fund të fundit, kjo është arsyeja pse jemi këtu ,jo vetëm për ne, por për fëmijët tanë dhe për të gjithë ata që do të vijnë pas nesh. Prandaj, në këtë ditë, ashtu si në të gjitha ditët gjatë këtyre katër viteve të fundit, ne dëshirojmë të jemi këtu me të njëjtin vendim, me të njëjtën qëndrueshmëri dhe me të njëjtën mbështetje”, u shpreh Anuela Ristani, nënkryetare e Bashkisë Tiranë.
Në kuadër të aktiviteteve u hap edhe një ekspozitë fotografike me pamje nga vendngjarjet në Ukrainë. Fotografitë paraqisnin pasojat e sulmeve mbi qytete, infrastrukturë energjetike dhe objekte civile, por edhe qëndresën e popullit ukrainas në kushte të vështira./vizionplus.tv





