Subscribe

 

Tensionohen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Tirana zyrtare shpreh indinjatën e thellë ndaj asaj që e konsideron si gjuhës provokuese dhe ndërhyrjes së paprecedentë të Ministrisë së Jashtme greke në çështje të brendshme të Shqipërisë.

 

Ministria e Jashtme greke, përmes një deklarate zyrtare më 19 Tetor, foli për shqetësim mbi kërkesën për arrestim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për bashkëpunim me krimin e organizuar, si dhe prekjen e të drejtave pronësore të minoritetit grek në vendin tonë.

 

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dëshiron të shprehë indinjatën e thellë ndaj gjuhës provokuese dhe ndërhyrjes së paprecedentë që karakterizonte deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, datë 19 tetor 2017. Përfshirja në debatin e brendshëm politik në Shqipëri dhe referimi i çështjeve të cilat janë ne proces zbardhjeje nga organet e drejtësisë përbën një shkelje të praktikës diplomatike, të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve strategjike mes vendeve tona.”

 

Tirana zyrtare qartëson Athinën edhe për çështjen e shumë diskutuar të pronave të minoritarëve grekë në Himarë.

 

 “Qeveria shqiptare ka ofruar regjistrimin dhe kompensimin e pronës për banorët që preken nga zbatimi i planit, duke ofruar disponibilitet të plotë sipas legjislacionit dhe praktikës më të mirë ndërkombëtare. Dëshirojmë të theksojmë se ligji i ri për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë garanton të drejtat e anëtarëve të pakicave individualisht dhe në grup, kudo ku ato jetojnë, bazuar në kriteret dhe frymën e Konventës Kuadër për Pakicat Kombëtare të Këshillit të Evropës. Çdo referencë tjetër etno-nacionaliste që evokon deklarata e sipërcituar bie ndesh me frymën dhe praktikat ligjore evropiane të mbrojtjes së pakicave kombëtare.”

 

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rithekson angazhimin për të vijuar trajtimin e çështjeve të hapura mes dy vendeve, në përputhje me frymën evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare, megjithë cenimin e klimës së besimit dhe bashkëpunimit që shkaktojnë këto deklarata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *