Protesta e mbajtur sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka tërhequr vëmendjen e mediave të njohura ndërkombëtare.
Media britanike The Telegraph raportoi dhe theksoi pjesëmarrjen masive, duke raportuar se mijëra shqiptarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, ndërsa protestuesit akuzuan Gjykatën Speciale në Hagë të mbështetur nga Bashkimi Evropian, për qasje të njëanshme dhe të padrejtë ndaj luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për pavarësinë e Kosovës në vitet 1998–1999.
Agjencia turke e lajmeve Anadolu raportoi se në kryeqytetin shqiptar u organizua një protestë kombëtare nën moton “Unë jam UÇK”, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që aktualisht përballen me drejtësinë në Hagë.
Po ashtu, The Washington Post shkroi se protestues nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera evropiane mbushën sheshin qendror të Tiranës, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke e përshkruar këtë forcë si një grup guerrilësh shqiptarë që udhëhoqi luftën për çlirim dhe pavarësi nga Serbia.
Edhe New York Post i kushtoi vëmendje ngjarjes, duke raportuar: “Mijëra njerëz protestojnë në kryeqytetin e Shqipërisë kundër gjykatës së mbështetur nga BE që ndjek penalisht veteranët e luftës së Kosovës.”
Kjo protestë mbarëkombëtare, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, kishte për qëllim shprehjen e solidaritetit dhe kërkesën për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
/vizionplus.tv





