Subscribe

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës prezantuan disa nga projektet e tyre se si mund të zhvillohet kryeqyteti. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u njoh me punimet ndërsa premtoi se do të shihet mundësia per zbatimin e projekteve me te mira.

 

“Më vjen mirë që jemi në një situatë, ku jo vetëm flasim për gjërat, por edhe i bëjmë ato. Gjërat që bëjmë mund ta provokojnë shoqërinë, mund të shkaktojnë reaksion, mund të prodhojnë edhe histeri, siç ka ndodhur me disa projekte të bashkisë, por unë besoj se arkitektët janë edhe pak artistë provokatorë. Një produkt arkitekture nuk është vetëm një koleksion llaçi, tullash, metali e pjesësh përbërëse të ngurta që prodhojnë një objekt, por në thelb provokojnë shoqërinë, krijojnë një ekosistem, një pikë referimi, përkthehen në një toponim të ardhshëm që njerëzit e lidhin me historitë e jetës së tyre”.  

 

Duke u ndalur në problemin e ndërtimeve informale në kryeqytet dhe në çështjen  e lejeve të ndërtimit, Veliaj deklaroi se sot në Tiranë janë rreth 160 mijë objekte të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

 

“Shoh shumë njerëz që gabimisht mendojnë se problemi janë ndërtimet me leje. Unë si kryetar bashkie, them s’është kështu. Në Tiranë janë një problem ndërtimet pa leje. Ne si Bashki, ndërtime me leje kemi dhënë 16, ndërtime pa leje në Tiranë janë 160 mijë. Këtë si do e adresojmë? Si integrohen, si urbanizohen? Ndaj besoj se projekti kyç është projekti i Tiranës policentrike”.

 

Kreu i Bashkisë deklaroi se në bashkëpunim dhe me qeverinë, po punohet që krahas legalizimit, të vijojë puna për urbanizimin e këtyre zonave në mënyrë që qytetarët të marrin të gjithë shërbimet e nevojshme aty ku ata jetojnë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *