Subscribe

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, e cila ndodhet mes Kasharit dhe Vaqarrit.  Kjo hapësirë do të shërbejë për të gjitha bizneset e huaja që duan të investojnë në kryeqytet,  kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit, prodhimin e automjeteve dhe për turizmin.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tirana është bashkia e parë që krijon një zonë të lirë ekonomike dhe siguroi se TEDA do të gjenerojë rreth 7 mijë vende të reja pune.

“Europa nuk është një nocion abstract. Nuk vjen Zana e Malit që ta bëjë Shqipërinë si gjithë Europa. Por, çdo ditë duhet të bëjmë nga një copë të vogël të Shqipërisë si gjithë Europa. Një ditë duhet bërë Sheshi Skënderbej si gjithë Europa; një ditë Parku i Liqenit; një ditë Pazari i Ri; një ditë Kalaja e Tiranës; një ditë Bulevardi i Ri; një ditë Kopshti Zoologjik, dhe tani, më në fund, kemi edhe një zonë ekonomike si gjithë Europa. Mënyra më e mirë për t’ju përgjigjur jo vetëm negociatave, por edhe aspiratave, është që çdo ditë të bëjmë atë të voglën tonë. Sot skuadrat tona po bëjnë të voglën e tyre, që edhe ajo pjesë djerrë të bëhet një hapësirë europiane”, tha Veliaj.

Ministri Blendi Gonxhja nënvizoi se kjo zonë përfaqëson një nismë strategjike që do të shërbejë si një katalizator inovacioni, investimesh dhe zhvillimi të qëndrueshëm.

“Nëpërmjet ofrimit të infrastrukturës moderne, ku ndihmon edhe Bashkia e Tiranës, ku natyrisht do ndihmojnë edhe aktorë të tjerë të lidhur me infrastrukturën dhe proceseve të thjeshta rregullatore, të lehtësuara dhe një mjedisi të favorshëm të biznesit, do të arrihet që të kemi një pol të prodhimit dhe të zhvillimit, që do të jetë një model në rajon dhe në të gjithë vendin”, tha Gonxhja.

Përmes TEDA Tirana, qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë krijuar një stacion, ku një kompani ndërkombëtare mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u bërë pjesë e saj./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *