Thomas Strakosha mposht Etrit Berishën në klasifikimin e portierëve më të mirë të Serisë A të publikuar sot nga “Gazzetta dello Sport”. E përditshmja më e madhe sportive në Itali ka bërë një renditje me dhjetë futbollistët më të mirë për secilin rol, bazuar në votën mesatare të marrë gjatë shtatë javëve të para të kampionatit.
Në renditjen e portierëve, Strakosha vlerësohet me notën 6.5 dhe pozicionohet i dyti, pas talentit të Milanit, Xhanluixhi Donaruma. 21-vjeçari i Lacios lë pas në radhë Sheznin e Romës, Handanoviçin e Interit, Konsiljin e Sasuolos dhe Etrit Berishën në vendin e gjashtë. Shqiptari i Atalantës ka notën 6.38 dhe klasifikohet sipër Bixarrit të Peskarës, Skorupskit të Empolit, Hartit të Torinos, Rafaelit të Kaljarit dhe Perinit të Xhenoas.
Ndërkohë, rivali i Strakoshës te Lacio, Federiko Marketi dhe ai i Berishës tek Atalanta, Marko Sportielo, bëjnë pjesë në listën e portierëve më të dobët.
Kështu, “derbin” e portierëve kuqezi në Serinë A për momentin e fiton Strakosha. Së shpejti këtë duel me shumë gjasa do ta shohim edhe në Kombëtaren shqiptare, ku Berisha tani për tani është titullar i padiskutueshëm.
Renditja e portierëve:
1-Donaruma (Milan) 6,8
2 – Strakosha (Lacio) 6,5
3 – Shezni (Roma); Handanoviç (Inter) 6,5
5 – Konsilji (Sasuolo) 6,43
6 – Berisha (Atalanta) 6,38
7 – Bixarri (Peskara) 6,36
8 – Skorupski (Empoli); Hart (Torino) 6,3
10 – Rafael (Kaljari); Perin (Xhenoa) 6,25.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *