Kryeministrja britanike Theresa May i ka hedhur sytë nga opozita për të zhbllokuar procesin e divorcit me Bashkimin Europian. Pas bisedimeve që zgjatën më shumë se 7 orë me kabinetin e saj, May pritet të zhvillojë një takim edhe me udhëheqësin e opozitës, Jeremy Corbin, me qëllim që të arrije dakordësinë për një version të modifikuar të marrëveshjes së Brexit.

 

Theresa May: “Do ulem miqësisht me liderin e opozitës dhe do të përpiqemi të bëjmë një plan për daljen e vendit nga Bashkimi Europian”.

 

Kryeministrja May njoftoi takimin me Corbyn me synimin për t’i kërkuar BE-së një zgjatje tjetër të afatit. Udhëheqësi i opozitës ndërkohë ka bërë të qartë se dëshiron që përparësi në këtë marrëveshje të modifikuar të ketë bashkimi doganor dhe të drejtat e punëtorëve.

 

Jeremy Corbyn: “Sigurisht jam shumë i lumtur për këtë, duhet të zhvillojmë një takim me kryeministren dhe të sigurojmë që parlamenti të votojë një mundësi javën e ardhshme që do të sigurojë një dalje të qetë nga unioni”.

 

Nëse takimi rezulton i suksesshëm, atëherë marrëveshja do të kalojë në parlament për herë të katërt para datës 10 prill. Në të kundërt ligjvënësit do të marrin vet “timonin” në dorë për të vendosur për hapat e ardhshëm. Në të dyja rastet, May është e detyruar të kërkojë një shtyrje tjetër të datës së Brexit nga Bashkimi Europian.

 

Britania e Madhe duhej të largohej nga unioni më 29 mars, por kryeministrja May kërkoi zgjatje të afatit pasi deputetët nuk miratuan propozimin e saj.Tashmë Britania ka kohe deri më 12 prill që të përgatisë një marrëveshje te re.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *