Subscribe

Raporti mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës ashpërsohet akoma më shumë. Partia Socialiste i është drejtuar zyrtarisht Gjykatës Administrative, nga e cila kërkon pezullim dhe më pas shpalljen të pavlefshëm të dekretit presidencial për shpalljen e datës së zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë Dibër. Socialistët argumentojnë se kreu i shtetit në vendimin e tij ka shkelur përcaktimet Kushtetuese, sa i takon detyrimit për respektim të afateve për dekretimin e datës së zgjedhjeve. Sipas PS-së, edhe pse Gjykata Kushtetuese më datë 1 gusht publikoi vendimin për rrëzimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili për rikthim në detyrë, kreu i shtetit do të duhej të priste publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kushtetueses dhe jo të vepronte menjëherë. Argument të cilin e bëri publik dy ditë më parë deputetja socialiste Blerina Gjylameti. Por kreu i shtetit, pas pretendimeve të socialistëve, arsyetoi se vendimi i tij ka qenë tërësisht i ligjshëm dhe në respekt të Kodit Zgjedhor. Të njëjtin qëndrim si President i Republikës mbajti edhe opozita, e cila vlerësoi se më dekretin e tij, Presidenti ka ushtruar detyrimin kushtetues, ndërkohë që kryeministri Rama ka dalë në mbrojtje të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *