Përplasja mes Spanjës dhe Italisë për çështjen e emigracionit po merr një tjetër dimension. Madridi ka vendosur kontrollet kufitare për udhëtarët që mbërrijnë nga Italia, si kundërpërgjigje ndaj masave të ndërmarra më herët nga Roma.Kontrollet spanjolle nisën në mesnatë dhe do të jenë në fuqi për një muaj.
Vendimi vjen pas kufizimeve të vendosura nga Italia, e cila pretendon se ekziston rreziku që emigrantët e mbërritur në enklavën spanjolle të Ceutës të vijojnë rrugën drejt territorit italian.
Në qendër të krizës është fluksi i rreth 78 mijë emigrantëve nga Maroku drejt Ceutës, situatë që ka nxitur shqetësim në disa vende europiane.
Qeveria spanjolle i ka kërkuar Romës të heqë kontrollet, por Italia ka refuzuar, duke deklaruar se masat do të mbeten në fuqi të paktën deri më 15 gusht.
Roma thotë se nuk do të pranojë ultimatume dhe e lidh vendimin me shqetësimet për sigurinë dhe terrorizmin.Madridi, nga ana tjetër, i ka cilësuar argumentet italiane si të pabazuara, duke theksuar se emigrantët që mbërritën në Ceuta nuk kishin mundësi të kalonin drejtpërdrejt në zonën Shengen.
Përplasja ka vendosur në kahe të kundërta dy qeveri ,atë të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez dhe qeverinë e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila prej kohësh kërkon masa më të forta europiane për kontrollin e emigracionit.
Ndërkohë, vendimi italian ka marrë mbështetjen e Finlandës dhe Danimarkës, ndërsa Republika Çeke ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar pezullimin e përkohshëm të pjesëmarrjes së Spanjës në zonën Shengen.Kështu, një krizë e nisur nga fluksi i emigrantëve po kthehet në një përplasje politike mes dy vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke vënë në pikëpyetje edhe zbatimin e lirë të rregullave të Shengenit.




