Thellohet përplasja Kosovë-SHBA, DASH kundër mbylljes së degëve të bankës serbe në veri
Aksioni financiar i policisë së Kosovës në veri të vendit një ditë më parë ka thelluar perplasjen mes Qeverisë dhe administratës amerikane.
Departamenti i Shtetit është shprehur i zgjënjyer me veprimet e policisë së Kosovës për mbylljen e gjashtë njësive të bankës serbe duke thënë se ky veprim nuk ishte i koordinuar dhe nxit tensione.
“Ky veprim minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona, në mënyrë që ta mbështesin përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”, tha DASH.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e SHBA-ve lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë ato të pakicës serbe”, thuhej më tej.
Banka Postare Kursimore që u mbyll nga Policia e Kosovës, është institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në veri.
Autoritetet në Kosovë argumentuan se aksioni u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare. Gjatë ndërhyrjes policia gjeti rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë, si dhe shuma të tjera parash në dollarë e franga.
Aksioni policor në veri u dënua ashpër nga beogradi zyrtar i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalë këto veprime te Prishtines.




